​Power: Asociacioni sipas parimeve të Chollet dhe Escobar

Aktuale

​Power: Asociacioni sipas parimeve të Chollet dhe Escobar

Më: 12 maj 2023 Në ora: 16:51
Samantha Power

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka thënë se Asociacioni duhet t’i përmbahet parimeve që i kanë paraqitur këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Në vizitën e saj në Kosovë, ajo dhënë mesazhet e Administratës Biden, për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen e fundit të arritur mes dy vendeve.

Ajo ka theksuar se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi, derisa ka përmendur si urgjencë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Power: Asociacioni duhet t’i përmbahet parimeve të Chollet dhe Escobar

Si përfaqësuese e lartë e Administratës Biden kam ardhur të përforcojë mesazhin për rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve, të cilat do të prodhojnë një normalizim, i cili do të jetë tej mase i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë. Normalizimi do të jetë shumë i mirë dhe dobishëm edhe për biznesin. Kemi pasur diskutime edhe për urgjencën e krijimit të Asociacionit, por edhe zbatimit të plotë të gjitha aspekteve të marrëveshjes. Po ashtu kemi shpresë që palët do të kalojnë në fazën e ardhshme të dialogut me propozime specifike. Ne e kemi bërë shumë të qartë përmes zotëri Chollet dhe Escobar se cilat janë parimet dhe po ashtu besojmë se çdo asociacion do t’iu përmbahet atyre kushteve”, tha ajo.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ajo ka thënë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, por fokusi njëherë i ShBA-ve është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi përmes marrëveshjes së Ohrit, po ashtu edhe rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës.

Power: Dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke

Fokusi ynë është në implementimin e kornizës së plotë të normalizimit. Gjithmonë ka qenë pozicioni i ShBA-ve që kjo duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe ky mbetet qëndrimi ynë. Por tani fokusi ynë është në rëndësinë e Asociacionit dhe rëndësinë që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur” , tha ajo.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se synimi i takimit të radhës në Bruksel është negocimi për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes së Ohrit.

I pyetur nga gazetarët, Kurti nuk ka bërë të ditur nëse në takimin e së hënës të kryenegociatorëve do të bisedohet për urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Kurti: Synimi i takimit të radhës do të jetë negocimi për zbatim të marrëveshjes

Natyrisht ne sinkronizohemi edhe sa i përket informacionit dhe synimeve. Por në të njëjtën kohë qëllimi ishte që të përgatitemi sa më mirë për një udhërrëfyes të zbatimit të sekuencuar, ashtu që edhe marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel, edhe ajo e aneksit të zbatimit në Ohër të zbatohen pa kushte dhe vonesa në mënyrë të plotë. Synimi i takimit të radhës do të jetë pikërisht ky, negociata për zbatim të sekuencuar”, theksoi Kurti.

Këto komente Power dhe Kurti i kanë pas shpalljes së ankandit të parë për parkun me energji solare në Kosovë.

Në janar të këtij viti, këshilltari i lartë në DASh, Derek Chollet dhe emisari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë paraqitur qëndrimin e tyre se çka përmban dhe çka jo Asociacioni.

Sipas tyre i njëjti nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat