Lansohet ankandi i parë i energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat

Aktuale

Lansohet ankandi i parë i energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat

Më: 12 maj 2023 Në ora: 17:14
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe Administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power kanë shpallur sot ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW, mundësi kjo për të investuar në një të ardhme të ndritshme energjetike.

Para shumë të pranishmëve në këtë ngjarje të rëndësishme, kryeministri Kurti shprehu falënderim ndaj USAID-it dhe ekipës së tyre në Kosovë për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e sektorit tonë të energjisë dhe për përkrahjen e fuqishme drejt tranzicionit energjetik.

‘’Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate të cilave u leverdis varësia energjetike e Evropës. Kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike e bëjnë edhe më urgjent tranzicionin energjetik’’, u shpreh kryeministri Kurti.

Këtë rrugëtim, tha ai, po e bëjmë dhe do ta bëjmë me mikun, partnerin e besueshëm, aleatin e fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët tashmë janë dëshmuar edhe sa i përket zhvillimit tonë të gjithmbarshëm edhe sa i përket ndërtimit të demokracisë sonë.

Duke folur për ngjarjen e sotme, kryeministri veçoi se Ankandet e energjisë së ripërtëritshme po tregohen që të jenë mekanizëm gjithnjë më i preferuar për qeveri që kanë ambicie për të luftuar ndryshimin klimatik dhe për të arritur sigurinë energjetike. Ato, shtoi më tutje ai, na lejojnë që të tërheqim energji konkurruese në shkallë të madhe, duke siguruar njëkohësisht çmimet më të përshtatshme për qytetarët tanë.

Me këtë Ankand, kryeministri deklaroi se ne ju bashkohemi vendeve, të cilat duke udhëhequr tranzicionin në energji të gjelbër dhe përqafojmë një mjet inovativ për të vendosur burime aty ku janë edhe vlerat tona dhe për ta bërë këtë me çmimin më të volitshëm të mundshëm për qytetarët e Republikës.

Ministria e Ekonomisë do të organizojë ankandin e parë solar në muajt në vijim. Ky parashihet të jetë ankandi i parë që i hap rrugë shumë ankandeve të tjera për energji të ripërtëritshme.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Faleminderit shumë ministre Rizvanolli,

E nderuara Administratore e USAID-it Samantha Power,

Të nderuar ministra, zëvendësministra e deputetë,

Miq dhe partnerë,

Të nderuar të pranishëm,

Dua të filloj me një falënderim ndaj USAID-it dhe ekipes së tyre në Kosovë për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e sektorit tonë të energjisë dhe për përkrahjen e fuqishme drejt tranzicionit energjetik.

Do të dëshiroja t’ju uroja edhe njëherë mirëseardhje administratores Power, përveç se kryeson Agjencinë me portofolin më të madh në ndihmë bilaterale në botë, administratorja Power i ka kushtuar shumë kohë të avokuarit për të drejtat e njeriut brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rrugëtimi i karrierës së saj është formësuar nga shkeljet e të drejtave të njeriut edhe në këtë rajonin tonë, andaj jemi me shumë fat që e kemi znj. Power mysafire në Kosovë e që nënkupton pakrahasimisht edhe lidhjen e madhe që ka ajo krahasuar me shumë e shumë të tjerë sa i përket historisë së vendit tonë dhe gjithashtu rëndësinë e një iniciative sikurse kjo e sotmja.

Pas agresionit të paprovokuar të Federatës ruse ndaj Ukrainës dhe popullit të saj më 24 shkurt të vitit të kaluar si dhe krizës energjetike ndërkombëtare e inflacionit që erdhi si rezultat tani më është e padiskutueshme, siç e tha dhe ministrja Rizvanolli, se siguria energjetike është siguri kombëtare.

Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokratë, të cilave u leverdis varësia energjetike e Evropës.

Kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike e bëjnë edhe më urgjent tranzicionin energjetik.

E këtë rrugëtim ne po e bëjmë dhe do ta bëjmë me mikun, partnerin e besueshëm, aleatin e fuqishëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët tashmë janë dëshmuar edhe sa i përket zhvillimit tonë të gjithmbarshëm edhe sa i përket ndërtimit të demokracisë sonë.  Kjo na ka shtyrë që të jemi edhe më të përkushtuar ndaj vizionit tonë për një sektor të energjisë së pastër dhe të qëndrueshme e ky vizion i yni është i qartë:

Të garantojmë siguri të furnizimit me energji elektrike në mënyrë që qytetarët e bizneset e vendit tonë të jenë të mbrojtura e të fuqizuara pavarësisht rrethanave të jashtme;

Të garantojmë pavarësi energjetike jo vetëm për sektorin si të tillë, mirëpo edhe për kontinentin tonë

Të garantojmë përballueshmëri financiare, në mënyrë që përtej përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tonë, të kemi njëkohësisht edhe zhvillim të hovshëm ekonomik.

Ne e kuptojmë rolin kyç që luajmë në udhëheqjen e këtij tranzicioni energjetik dhe në përkushtimin ndaj politikave, sikurse ky ankand, që janë me efikasitet për të na çuar në fazën tjetër të energjisë dhe të ekonomisë sonë.

Më tutje, ankandet e energjisë e ripërtëritshme po tregohen që të jenë mekanizëm gjithnjë më i preferuar për qeveri që kanë ambicie për të luftuar ndryshimin klimatik dhe për të arritur sigurinë energjetike. Ato na lejojnë që të tërheqim teknologji konkurruese në shkallë të madhe, duke siguruar njëkohësisht çmimet më të përshtatshme për qytetarët tanë.

Me këtë ankand, ne ju bashkohemi vendeve të cilat janë duke udhëhequr tranzicionin në energji të gjelbër dhe përqafojmë një mjet inovativ për të vendosur burime aty ku janë edhe vlerat tona dhe për ta bërë këtë me çmimin më të volitshëm të mundshëm për qytetarët e Republikës.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ankandi i parë i Republikës së Kosovës i energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat, përmbush secilin hap të vizionit tonë. E përtej tij, për një ndër sektorët kyçe, ky ankand si skemë konkurruese, përmbush edhe synimet thelbësore të qeverisjes sonë e që janë tri sosh:

- E para, mundësi të barabartë dhe konkurrencë të drejt për të gjithë akterët e përfshirë,

- E dyta, inovacion dhe çmime më të përballueshme për qytetarët, si dhe

- E treta, të garantojmë transparencë dhe të rrisim llogaridhënien para qytetarëve të vendit.

Po jetojmë në dekadat më kritike të zhvillimit të hovshëm të energjisë, ndërsa po ecim krah-për-krah me shtetet e zhvilluara perëndimore për t'iu bërë ballë këtyre zhvillimeve, për t'i kthyer sfidat dhe vështirësitë e gjeneratës sonë në mundësi për gjeneratat, të cilat vijnë pas nesh.

Shpalljen e këtij ankandi tonë të parë po e bëjmë në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, kur po marrim një ndër hapat kryesorë drejt tranzicionit tonë të gjelbër dhe drejt investimeve më të mëdha në sektorin tonë të energjisë ndër dekada.

Me këtë rast, dua të falënderoj edhe Ministrinë e Ekonomisë, ministren Rizvanolli, që me kaq përpikëri po e formëson të ardhmen tonë energjetike dhe me kaq siguri po na udhëheqë drejt kësaj së ardhme.

Kam kënaqësinë të jem sot këtu me juve e para juve dhe ftoj kompanitë ndërkombëtare, vendore, të na bashkëngjiten në zhvillimin e këtij sektori.

Ju faleminderit!

E tani ia kaloj fjalën mikes sonë të madhe, zonjës së nderuar, administratores Samantha Power.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat