Projektligji për çmimet e barnave së shpejti në Kuvend, farmacistët tregojnë humbjet milionëshe të qytetarëve

Aktuale

Projektligji për çmimet e barnave së shpejti në Kuvend, farmacistët tregojnë humbjet milionëshe të qytetarëve

Më: 13 maj 2023 Në ora: 11:10
Foto ilustrim

Projektligji që rregullon çmimet e barnave në Kosovës i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, është miratuar para pak ditësh nga Qeveria.

Ky projektligj pritet që të shkojë së shpejti në Kuvend për të marrë aprovimin e deputetëve.

Nga MSH-ja thonë se janë në dispozicion për të ofruar shpjegime shtesë lidhur me këtë projektligj derisa ai të miratohet në Kuvend.

“Ministria e Shëndetësisë është sponzoruese e këtij projektligji, të cilin e ka dërguar në Qeveri. Siç jeni në dijeni, Qeveria e ka miratuar dhe tash i njëjti nga Qeveria shkon në Kuvend për procedura të mëtejme parlamentare. MSh do jetë në dispozicion për të ofruar shpjegime shtesë qoftë për Qeverinë apo Kuvendin në fazat e mëtejme deri në miratimin e projektligjit nga Kuvendi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Cilat do të jenë rreth 70 produktet e reja në listën esenciale të barnave? Kjo është përgjigjja e MSH-së

Nga Qeveria është marrë vendim që të shtohet buxhet edhe për listën esenciale të barnave.

Kështu rrjedhimisht, listës esenciale i shtohen edhe 70 produkte të reja.

Këtë e kanë bërë të ditur për Front Online nga Ministria e Shëndetësisë.

“Lista (e re) Esenciale e Barnave do të publikohet në ëeb faqen e MSh-së dhe si mediat si publiku i gjerë dhe profesionistët do t’i kenë në dispozicion të gjitha të dhënat për përmbajtjen e kësaj liste, përfshirë edhe rreth 70 produkte të reja që i përmban kjo listë”, thonë nga MSH.

Kjo sipas MSH-së, është për t’i lehtësuar institucionet shëndetësore publike për planifikim dhe furnizim.

“Qëllimi i LEB është që të rrisë spektrin e barnave dhe materialeve shpenzuese që përdoren në shërbimet shëndetësore publike, të lehtësojë për institucionet shëndetësore publike planifikimin më të mirë të terapive të reja, të zgjerojë mundësitë e mjekimit më gjithëpërfshirës të pacientëve që marrin shërbime në institucionet publike shëndetësore dhe të përfshijë terapi bashkëkohore për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme përfshirë sëmundjet malinje, sëmundjet e rralla, etj”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Kryetari i Odës së Farmacistëve: Për shkak të çmimeve të larta të barnave, qytetarët humbin së paku 10 milionë euro në vit

 Këtë Projektligj që rregullon çmimin e barnave e kanë mirëpritur edhe Oda e Farmacistëve.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi thotë se kjo ka qenë kërkesë e tyre e kahmotshme.

“Ligji për çmimet e barnave është një nga kërkesat e kahmotshme të farmacistëve dhe si të tillë oda e përkrah fuqishëm. Ne shpresojmë që ky ligj sa më parë të aprovohet dhe të fillojë zbatimi i tij”, tha ai.

Me këtë Ligj, sipas Jakupit do të balancohen çmimet si brenda vendit, ashtu edhe në rajon.

“Në bazë të këtij projektligji çmimet e barnave do të harmonizohen së pari me çmimet rajonale (që janë më të ulëta) dhe pastaj edhe me çmimet e barnave në vend nga barnatorja në barnatore apo edhe nga vendi në vend pasi ndryshimet në raste janë signifikante”, tha Jakupi për Fo.

Për shkak të çmimeve të larta të barnave në Kosovë, Jakupi thotë se pacientët humbin 10 milionë euro për një vit.

“Sipas një llogarie Kosova përkatësisht pacientët humbin së paku 10 milionë euro në vit nga çmimet më të larta në Kosovë”, u shpreh ai.

Me miratim të këtij projektligji në Qeveri, kryeministrt Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë thënë se nëpërmjet këtij ligji, Kosova do të ketë ndër çmimet më të lira të barnave, dhe do të evitohen abuzimet.

Rregullimi i çmimit të barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian. Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat