GLPS: Mbi 60 për qind e qytetarëve besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia

Aktuale

GLPS: Mbi 60 për qind e qytetarëve besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia

Më: 13 maj 2023 Në ora: 14:01
Renata Bajrami dhe Liridon Salihi

Mbi 60 për qind e qytetarëve besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia. Ndërkaq, 70 për qind u besojnë më së paku gjykatave dhe prokurorive për shkak se mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika. Kështu thuhet në botimin e tetë të indeksit të performancës së institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë (RoLPIK). Në konferencën e sotme të Grupit për Studimeve Juridike dhe Politike (GLPS) me temën “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”, u tha se mbi 50 për qind e qytetarëve nuk kanë vërejtur përmirësim të gjyqësorit gjatë vitit 2022.

Renata Bajrami nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike shpalosi të dhënat në lidhje me përceptimin e qytetarëve për ndikimin politik në institucionet e drejtësisë.

Bajrami: 62,5 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji

“Për vitin 2022, 62,5 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji. Ndërsa, vetëm 22,7 për qind prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë përpara drejtësisë. Në krahasim me vitin e kaluar, trendi është negativ pasi që kemi një ngritje prej 2,5 për qind që mendojnë se politikanët janë të pandëshkueshëm. Shikuar si tërësi, ky indikator tregon se mbi 60 për qind e popullsisë besojnë se politika të bën të pa prekshëm nga drejtësia. Për më tepër, sipas të dhënave të raportit, vërehet se 70 për qind e qytetarëve i besojnë më së paku gjykatave dhe prokurorive. Sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika”, tha ajo.

Në raport thuhet se qytetarët konsiderojnë se organet më pak të influencuara politikisht janë Policia dhe EULEX-i. Po ashtu, 46 për qind e të anketuarve besojnë se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga mitmardhja.

Bajrami: 70 për qind e qytetarëve mendojnë se institucionet më të prekura nga mitmarrja janë gjykatat dhe prokuroria

“Institucionet më të prekura nga kjo dukuri, sipas 70 për qind të qytetarëve, janë gjykatat si dhe prokuroria. Që në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje të trendit për 5,4 për qind. Për nga efiktiviteti dhe lufta kundër korrupsionit, sipas të anketuarve Policia e Kosovës me 53,2 për qind, është institucioni më efektiv në luftimin e kësaj dukurie. Ndërsa, 4,7 për qind e qytetarëve mendojnë që gjykatat janë efektive në luftimin kundër korrupsionit dhe prokuroria me vetëm 6,3 për qind. Lidhur me efektivitetin në luftën kundër korrupsionit në krahasim me të dhënat e raportit të vitit të kaluar, kemi një sinjal negativ karshi besimit të qytetarëve në prokurori e gjykata”, shtoi Bajrami.

Më shumë se gjysma e të anketuarve kanë mohuar se sistemi i drejtësisë është përmirësuar në vitet e fundit, tha Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Salihi: Mbi 50 për qind e qytetarëve kanë theksuar se nuk kanë vërejtur përmirësim të gjyqësorit gjatë vitit 2022

“Mbi 50 për qind e qytetarëve kanë theksuar se nuk kanë vërejtur përmirësim të gjyqësorit gjatë vitit 2022. Si konkluzion, këtë vit shihet se kemi trend negativ krahasuar me vitin e kaluar sa i përket mendimeve të qytetarëve në raport se a është përmirësuar sistemi i drejtësisë në vendin tonë apo jo. Në listën apo përqindjen e atyre që kanë parë përmirësim të gjyqësorit gjatë vitit 2022, nga 31,5 për qind e të anketuarve, pjesa më e madhe e tyre, 34,1 për qind e atyre që kanë pohuar se ka përmirësim në sistemin e drejtësisë, këtë përmirësim e kanë lidhur me indeksin, përkatësisht indikatorin e llogaridhënies dhe transparencës”, u shpreh ai.

Tutje, Salihi tha se të anketuarin e vlerësojnë me notën 3,6, iniciativën e qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe konfiskimin civil të pasurisë së pajustifikueshme.

Salihi: Qytetarët e kanë vlerësuar nivelin e sigurisë në vend me 3,42

“Ne i kemi pyetur të anketuarit se si ata e vlerësojnë nivelin e sigurisë në vend. Nga vlerat 1-aspak i sigurt, deri në vlerën 5-plotësisht i sigurt, mesatarja e përgjigjeve të të anketuarve ka qenë 3,42. Që nënkupton që këto ngjarje kanë ndikuar edhe në aspektin e përceptimit se si e shohin nivelin e sigurisë në vend, qytetarët e Republikës së Kosovës. Tutje, meqë gjatë vitit 2022 u karakterizuan edhe me rastet e dhunës në familje dhe me rastet me baza gjinore, ne kemi pyetur të anketuarit se sa i shohin parandaluese dënimet që shqiptohen kundër kryerësve të këtyre veprave penale. Nga përgjigja 1 deri në 5, mesatarja e tyre që janë përgjigjur në këtë rast ka qenë 2,97”, shtoi Salihi.

Pjesë e këtij raporti janë është efikasiteti i treguar nga ana e Prokurorit të Shtetit dhe gjykatave, ku këto institucione kanë zgjidhur vetëm rreth 32 për qind të lëndëve që kanë pasur në punë.

Në pjesën e parë të raportit përfshihen perceptimet e qytetarëve në raport me institucionet e drejtësisë, ndikimi i politikës dhe ryshfeti në gjyqësor. Nga anketa e realizuar, raporti ofron të dhëna edhe për vlerësimin e qytetarëve për vettingun në drejtësi dhe për konfiskim civil të pasurisë së pajustifikueshme

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat