Miftaraj: VV-ja nuk e ka në plan mbrojtjen e parasë publike siç kishte premtuar

Aktuale

Miftaraj: VV-ja nuk e ka në plan mbrojtjen e parasë publike siç kishte premtuar

Më: 14 maj 2023 Në ora: 08:03
Ehat Miftaraj

Privilegjet nuk kufizohen vetëm me zyrtarët më të lartë të shtetit. Në nëntor 2015, Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Isa Mustafa kishte marrë vendim për njohjen e të drejtës në pagë pas mbarimit të mandatit të zëvendëskryeministrave, Ministrave të Qeverisë, zëvendësministrave dhe Drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë në shumën prej 70% të pagës, e cila u kishte dalë në llogarinë bankare muajin e fundit.

Periudha kalimtare do të kapte periudhën prej një vit, përveç për zëvendësministrat që periudha ishte caktuar për gjashtë muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në qershor 2018, Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Ramush Haradinaj kishte zgjeruar listën e udhëheqësve që përfitojnë pagë kalimtare, duke i’a shtuar edhe Zëvendësdrejtorin e AKI-së dhe Kryeinspektorin e AKI-së, në shumën prej 70% të pagës së fundit. Haradinaj gjithashtu, këto privilegje prej 1 viti, i kishte rritur në 5 vite pas përfundimit të mandatit.

Qeveria Haradinaj nuk ishte ndalur me kaq. Në korrik 2019, mori një vendim tjetër, që Drejtorit, Zëvendësdrejtorit dhe Kryeinspektorit të AKI-së t’iu takojnë këto benefite në mënyrë retroaktive.

Përveç kësaj, Haradinaj në vitin 2017, kishte ngritur pagat për kabinetin qeveritar, që rrjedhimisht pas përfundimit të mandatit, edhe përfitimet nga 70% i pagës do të ishte më i lartë.

Më 12 shkurt 2020, Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ka shfuqizuar vendimin e ish-Kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar dhe njëkohësisht ka marr vendim që pagat kalimtare pas mbarimit të detyrës do të dilnin sipas pagave aktuale.

Ndërsa, pas një jave, më 19 shkurt 2020, Qeveria Kurti ka shfuqizuar në  tërësi vendimet e Mustafës e Haradinajt ku përfitonin zv.Kryeministrat, Ministrat, zv. ministrat, Drejtori, Zëvendësdrejtori dhe Kryeinspektori i AKI-së.

Sidoqoftë, Kurti ka prekur të gjithë zyrtarët që bien nën pozitën e tij, ndërsa privilegjet për pozitën e tij si Kryeministër, nuk i ka prekur as atëherë e as tash ende nuk i ka në agjendë ndryshimet ligjore për këtë temë.

Ehat Miftaraj nga IKD, thotë se mos inicimi i ndryshimit të këtij ligji edhe pas fillimit të vitit të tretë të mandatit tregon se Vetëvendosje nuk ka në plan mbrojtjen e parasë publike, ashtu siç kishte premtuar.

“Në këtë drejtim, kjo qasje e partisë në pushtet është e kundërt me atë çka kanë proklamuar në vazhdimësi, ose me atë që kanë premtuar se paraja, buxheti i Kosovës do të ruhet, do të shpenzohet në mënyrën e duhur, por që praktika po na e dëshmon të kundërtën, ku si duket përfituesit me të mëdhenj dhe privilegjet ma të mëdha prej qe ka ardhë në pushtet janë vetë të kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij qeveritar”, ka deklaruar Miftaraj.

Sipas tij, përderisa Kryeministri i ka shfuqizuar të drejtat, për ministrat dhe zëvendësministrat, këtë nuk e ka bërë edhe në raport me veten e tij.

“Posa ta përfundojë mandatin si kryeministër ose posa që nuk do të mund të ushtrojë funksionet publike të larta i njëjti i garantohet deri në fund të jetës së tij benificionet që dalin nga Ligji”.

Sipas tij, në ligjin për pagat, Kryeministri Kurti dhe partia në pushtet u siguruan që të rrisin pagën për ministra, për zëvendësministra për këshilltar politik.

“E kjo gjithnjë duke u bërë në dëm të pozitave të tjera që janë jashtë qeverisë, qysh janë pozitat e gjyqtarëve, prokurorëve por edhe të një numri të madh të shërbyesve civil, të cilëve më ligjin e ri pagat iu janë zbritur”.

Se a do të iniciohet ndryshimi i këtij ligji nga qeverisja aktuale mbetet të shihet, por që privilegjet e ish funksionarëve të shtetit janë shumë të larta për standardin e jetesës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat