Shala: Situata e sigurisë në shkollat e Kosovës është alarmante, mund të ndodhin raste si në Serbi

Aktuale

Shala: Situata e sigurisë në shkollat e Kosovës është alarmante, mund të ndodhin raste si në Serbi

Më: 14 maj 2023 Në ora: 10:58
Drizan Shala

Situata e sigurisë në shkollat e Kosovës është alarmante.

Kështu po e vlerëson, eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala gjendjen e shkollave.

Shala ka thënë se armët ilegale janë dukuri tejet shqetësuese në vend.

“Situata në shkollat e Kosovës është alarmante sepse nëse e marrim info në lidhje më armët ilegale në Kosovë mund të themi që situata më këtë dukuri është tejet shqetësuese sepse sipas raporteve të ndryshme nga organizatat ndërkombëtare janë dhëne shifra që kemi mbi 200.000 arme të kalibrave të ndryshme në duart e qytetarëve në formën ilegale”, tha Shala.

Eksperti i sigurisë ka përmendur edhe rastet e fundit të ndodhura në Beograd të vrasjeve të nxënësve me armë në shkolla.

Ai tha se e njëjta situatë mund të ndodhë edhe në Kosovë.

Sipas tij, MASHT-i ka mbetur pa qasje në parandalimin e këtyre rasteve.

“Rastet sikur në Beograd në rrethanat shoqërore në Kosovë gjasat janë që të ndodh nëse nuk reagojmë. MPB s’ka ndonjë strategji se si ti qaset situatës më këtë dukuri pavarësisht tendencës për të zbatuar kampanje të tilla. Ministria e Arsimit gjithashtu ka mbetur pa as një qasje në parandalimin e krizave të tilla shoqërore në sistemin arsimor”, u shpreh Shala për Fo.

Policia e Kosovës në fillim të çdo viti shkollor ka thënë se harton dhe aktivizon Plane Operative me qëllim të parandalimit të dukurive negative në shkolla dhe ngritjes së nivelit të sigurisë. Po ashtu edhe nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventive në vazhdimësi realizon projekte të ndryshme sensibilizuese dhe parandaluese në shkolla.

Ndryshe, dy raste të rënda të njëpasnjëshme pikërisht në shkolla kanë ndodhur javën e kaluar në Serbi.

Ky shtet e ka rritur praninë e policisë në shkollat anembanë vendit, pas dy rasteve të vrasjeve masive javën e kaluar, që lanë 17 persona të vrarë dhe mbi 20 të tjerë të plagosur. Këto dy raste ndodhën brenda 48 orëve.

Më 3 maj, një i dyshuar 13-vjeçar hapi zjarr në shkollën fillore Vladislav Ribnikar në Beograd, duke vrarë tetë bashkënxënës dhe një roje sigurie dhe duke plagosur gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues.

Dy ditë më vonë, një tjetër vrasje masive ndodhi në Serbi.

Të paktën tetë njerëz u vranë dhe 14 u plagosën më 5 maj pasi një person i armatosur hapi zjarr nga një makinë drejt këmbësorëve në disa fshatra pranë Mlladenovacit, 50 kilometra në jug të Beogradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat