Kurti kujton masakrën e Qyshkut: Drejtësi për viktimat, dënim për kriminelët e luftës

Aktuale

Kurti kujton masakrën e Qyshkut: Drejtësi për viktimat, dënim për kriminelët e luftës

Më: 14 maj 2023 Në ora: 14:05
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sot masakrën e Qyshkut, duke u shprehur se sistemi i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe për dënim të kriminelëve të luftës.

Ai ka theksuar se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të harrohen.

“Sistemi ynë i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim të kriminelëve të luftës dhe urdhërdhënësve të tyre. Krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund të falen e as harrohen. Proceset e rralla e të pakta gjyqësore në Serbi ishin tallje me viktimat dhe shpërlarje kriminelësh.”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në Fcaebook.

Ai ka shtuar se gjaku i të rënëve për liri nuk humbet. “Kujtimi për ta është i përjetshëm.”, ka shkruar tutje Kurti.

Ndryshe, sot, mbushen 24 vjet nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 meshkuj. Masakra e 14 majit 1999 ka qenë vetëm një nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur. Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat