​Bajrami: Propaganda nuk kalon

Aktuale

​Bajrami: Propaganda nuk kalon

Më: 14 maj 2023 Në ora: 19:20
Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami iu ka kundërpërgjigjur reagimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës, lidhur me raportin e Bankës Botërore për Kosovën.

Derisa Qeveria dhe kryeministri Kurti thonë se Banka Botërore me vlerësim të lartë për Kosovën, Bajrami ka thënë se nuk ka progres për vendin eksperimenti i LVV-së.

Banka Botërore po thotë që Kosova ka bërë progres dekadën e fundit, nuk po thotë që Kosova ka bërë progres dy vitet e fundit. Andaj në vend që t'i deformoni deklaratat dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare si këtë të Bankës Botërore, është mirë të pranoni që megjithatë qeveritë e kaluara e kanë zhvilluar këtë vend. Që dy vite është radha juaj dhe eksperimentet e juaja veç progres s'po i sjellin vendit. Se sa zhvillim po bën qeveria mjafton të shihni raportet e vetë Qeverisë. Raporti financiar i tremujorit të parë të këtij viti thotë se qeveria ka shpenzuar mbi 207 milionë euro për subvencione dhe vetëm 40 milionë euro për investime kapitale. Politikat e lëmoshës nuk na shpien gjenkundi, andaj lerëni propagandën e nisjani punës”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, Qeveria thekson se në një komunikatë të lëshuar në fillim të kësaj jave, Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore, kanë thënë se ata mbështesin Kosovën në përshpejtimin e konkurrencës së saj për krijimin e vendeve të punës dhe standard më të lartë të jetesës.

“Sipas Bankës Botërore, brenda 10 viteve të fundit Kosova ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me një rritje prej afër 50% të të ardhurave për kokë banori dhe me një ulje prej 35% të shkallës së varfërisë, duke performuar më mirë sesa vendet me të ardhura të ngjashme për kokë banori. Drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu është shprehur se Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i Ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin dhe gjeneratat e ardhshme. Në vitin e kaluar, Kosova kishte shënuar vlerën më të lartë ndonjëherë të eksporteve, rreth 920 milionë euro. Ndërkaq këtë vit vlera e eksportit pritet që për herë të parë kalojë shumën prej 1 miliard euro. Si rezultat, raporti eksport-import viteve të fundit ka shënuar përmirësim të dukshëm. Nga 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht. I njëjti institucion, muajin e kaluar ka publikuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, në të cilin parashikon që Kosova do ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor në tre vitet e ardhshme; 2023, 2024 dhe 2025”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat