Ambasadori gjerman: Kosova duhet të përgatit një draft-statut për Asociacionin

Aktuale

Ambasadori gjerman: Kosova duhet të përgatit një draft-statut për Asociacionin

Më: 16 maj 2023 Në ora: 20:17
Jorn Rohde

Anëtaret e Komisionit për punë të Jashtme dhe Diasporë kanë pritur sot në takim ambasadorin, gjerman, Jorn Rohde.

Në takimin i cili zgjati mbi 1 orë u diskutua për çështjen e dialogut Kosovë Serbi, çështjen e Asociacionit e integrimin e Kosovës në BE.

Gjermania është bërë vendi i dytë, pas Britanisë së Madhe që thotë se Kosova duhet të përgatit një draft-statut për Asociacionin.

Qëndrimin e Gjermanisë për këtë çështje e tha ambasadori i këtij shteti në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai këto komente i bëri pas takimit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës.

“Drafti më i mirë mund të përgatitet nga Kosova për Kosovën. Një vizion nuk është draft. Çka na duhet është një draft nga Kosova shumë shpejt, të shohim se çfarë idesh konkrete ka për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ky, mendoj që është obligim i Kosovës për ta sjellë përpara këtë proces”, tha ambasadori gjerman

Ndërsa, i pyetur për kompaninë Visametric, e cila i obligon qytetarët të paguajnë 30 euro për kthimin e pasaportës, Rhode nuk dha koment.

“Ju duhet të bisedoni me Visametric, për shkak se jam në dijeni rasti është në shqyrtim dhe nuk mund të jap komente për këtë”, tha ai.

Kurse, Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu, tregoi se cilat ishin temat e diskutimit.

Ndërsa bëri të ditur se çështja e visa metric nuk ishte temë e diskutimit, por premtoi se do të interesohet për më ketë shqetësim të qytetarëve.

Ndryshe, Kompania “VisaMetric”, ka bërë të ditur se ka pranuar sot vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, ku ndalohet që të marrin nga 30 euro për shërbime postare qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat