Prokurori Maloku: Qarkullimi i parave të fajdeve është paralel me sistemin bankar

Aktuale

Prokurori Maloku: Qarkullimi i parave të fajdeve është paralel me sistemin bankar

Më: 17 maj 2023 Në ora: 18:34
Rasim Maloku

Prokurori Rasim Maloku, i cili është prokuror i rastit të aksioneve për fajde, ka deklaruar se qarkullimi financiar nga fajdetë është marramendës.

Ai tha se ai qarkullim shkon paralel me qarkullimin e sistemit bankar në Kosovë.

Maloku tha se kjo dukuri është në rritje dhe se shkaktar, sipas tij, mund të jetë edhe kriza ekonomike dhe kamatat e larta të bankave.

“Një prej veprave më të vështira për hetim është fajdja, është një dukuri mjaft e përhapur në Kosovë, sidomos pas vitit 2022 kur ka filluar pandemia Covid-19. Personat kanë rënë në kriza financiare, mirëpo si dukuri ka qenë edhe paraluftës. Ka marrë një hov të jashtëzakonshëm, dhe po ashtu për shkak të kamatave të larta të bankave. Bëhet një qarkullim financiar paralel me sistemin bankar, aq shumë bëhet qarkullim të mjeteve monetare përmes fajdeve, është e pabesueshme për një qytetar që nuk merret me këtë çështje në mënyrë profesionale”, ka thënë ai.

Maloku ka dhënë detaje për aksionin kundër dukurisë së fajdeve dhe ka treguar për arrestimet dhe konfiskimet që janë bërë në vend të ngjarjes.

Ai tha se përveç kësaj, ka pasur konfiskime të aparateve të lojërave të fatit, kompjuterë, telefona.

“Për shkak të dyshimit të bazuar që janë duke kryer veprën penale të fajdes. Krahas saj janë edhe disa vepra, si detyrimi, kanosja e shmangia nga tatimi. Por, sot kemi pasur rast më specifik, organizimi i lojërave të fatit apo bixhozi, që është e ndaluar me ligj… Lokacioni ka qenë në Fushë-Kosovë, që janë sekuestruar disa aparate të lojërave të fatit dhe disa kompjuterë që janë luajtur lojëra online, 6 aparate dhe 9 kompjuterë që kanë përdorur të pandehurit për lojëra të fatit”, ka thënë ai.

Ai tha se janë arrestuar katër persona, tre nuk janë gjetur në vendbanimet e tyre.

“Sot kanë qenë të caktuara 7 lokacione, 4 persona janë arrestuar, 3 nuk janë gjetur në vendbanimet e tyre, i është lënë ftesa, urdhërarrestet. Janë konfiskuar armë, 9 telefona mobilë, numër i madh i fishekëve. Janë sekuestruar dy vetura që dyshihen se janë dobi pasurore nga vepra penale, një veturë që një i pandehur që e ka marrë si peng nga viktimat që t’i detyrojë t’i pagujanë shumat e parave që u janë marrë nga fajdetë. Vlera është 100 mijë euro, pas kalimit të procedurave do t’i dorëzohet viktimave”, tha ai.

Maloku bëri të ditur se për fajde janë 40 persona nën hetim, disa janë në paraburgim, disa në arrest shtëpiak, kurse disa të tjerë ende në arrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat