Kurti: Qeveria vazhdon të jetë e angazhuar për gjithëpërfshirje dhe barazi

Aktuale

Kurti: Qeveria vazhdon të jetë e angazhuar për gjithëpërfshirje dhe barazi

Më: 17 maj 2023 Në ora: 18:59
Foto nga vendngjarja

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, priti në takim përfaqësuesit e Rrjetit për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë takim të thirrur nga Kryeministri Kurti, u bisedua për të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022.

“Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile u diskutuan mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raportit”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e kryeministrisë.

Duke e falënderuar kryeministrin Kurti për takimin, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile e vlerësuan qasjen proaktive të Kurtit për takimin tashmë tradicional, të rregullt vjetor.

Kurse Kurti ka theksuar punën dhe përkushtimin e Qeverisë për të drejtat e njeriut, barazi dhe gjithëpërfshirje.

Ai ka përmendur zhvillimet për drejtësi, duke theksuar Vetingun në sistemin e drejtësisë, miratimin e Strategjisë së Sundimit të Ligjit, aprovimin nga Komisioni i Venecias të ndryshimeve për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si dhe miratimin në Kuvend të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Për barazi shoqërore e gjinore dhe parandalim dhe luftim të dhunës kundër grave dhe vajzave,gjatë takimit u veçua miratimi i Strategjisë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, lansimi i Protokollit Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale, si dhe ndryshimi i Kodit Penal për dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtor për dhunim seksual dhe dhunë në familje.

Në takim po ashtu u bisedua për zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës.

“ Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar institucional dhe jashtë institucioneve, ndalja në shkallë të madhe e veprimeve kriminale në kuadër të institucioneve dhe jashtë tyre, po përcillet me vlerësime të larta edhe në raporte ndërkombëtare”.

Tutje është thënë  se në këto dy vite qeverisje, renditja e Kosovës është përmirësuar për 20 vende në Transparency International për luftën kundër korrupsionit, 22 vende në Lirinë e Shtypit Botëror sipas indeksit të Reporterëve pa Kufi.

“Jemi renditur të parët në Ballkan, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë për përparimin në të drejtat politike dhe liritë civile, e po ashtu të parët në Ballkanin Perëndimor për Sundimin e Ligjit për dy vjet radhazi nga World Justice Project”.

Kurti ka theksuar se Qeveria vazhdon të jetë e angazhuar për gjithëpërfshirje dhe barazi. U theksua procedimi në Kuvend i propozimit për përfshirjen e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Kosovës.

Në takimin e përbashkët të pranishëm ishin edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, si dhe përfaqësuesit e Rrjetit për të Drejtat e Njeriut: Marigona Shabiu (YIHR), Afrim Maliqi  (HANDIKOS), Gzim Shala (IKD), Luljeta Demolli (QKSGJ), Senad Ibishi (VoRAE), Blert Morina (CEL), Rrustem Gashi (Hendikos) dhe Ilir Vitija (YIHR).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat