Analistët: Pa presion ndërkombëtar, s’ka progres në zbatim të Marrëveshjes

Aktuale

Analistët: Pa presion ndërkombëtar, s’ka progres në zbatim të Marrëveshjes

Më: 17 maj 2023 Në ora: 19:02
Bisedimet në Bruksel

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të shtojnë presionin ndaj Kosovës për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Profesorë universitarë e analistë politikë thonë se përkundër nënshkrimit të dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut, palët janë larg sa i përket çështjes së Asociacionit.

Që nga arritja e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe pas arritjes së ujdisë në Ohër, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po i kërkojnë Kosovës krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përkundër arritjes së dy marrëveshjeve dhe presionit ndërkombëtar, Kosova dhe Serbia kanë mospajtime të mëdha për çështjen e Asociacionit.

Sipas profesorit të shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ndonëse ka një përkushtim më të shtuar për Asociacionin, krijimi i tij nuk është një gjë e lehtë, pasi për këtë duhen kompromise Kosovë-Serbi. 

“Nuk është e lehtë të arrihet deri të pazari, sepse statuti i Asociacionit përcakton nivelin e autonomisë të serbëve në Kosovë. Edhe ky statut mund të shkojë deri në atë masë sa ta bëjë jo funksional shtetin e Kosovës. Dhe, arsyeja pse Kosova bisedon me Serbinë është për ta marrë njohjen. Dhe natyrisht që për ta marrë njohjen Kosova, Serbia e kushtëzon më diçka”, tha ai.

Tutje, Spahiu tha për Radio Kosovën se palët dialoguese aktualisht kanë mospajtime të mëdha në lidhje me Asociacioni dhe modelin për krijimin e tij.

Ndërkohë, edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se Kosova dhe Serbia janë larg gjetjes së zgjidhjes për krijimin e Asociacionit, përkundër progresit të arritur me marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel dhe asaj të Ohrit.

“Për fat të keq, aktualisht kemi vetëm stagnime dhe rritje të distancës ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë për sa i përket çështjeve fondamentale siç është Asociacioni dhe çështja e të pagjeturve. Edhe Kosova edhe Serbia po e dëshmojnë që pa presionet e jashtëzakonshme ndërkombëtare, veçmas nga SHBA-të, nuk kanë as vullnet dhe as plan se si të shkojnë përpara”, tha Muhaxhiri.

Pas prezantimit të draftit fillestar për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Ekipi menaxhues i përbërë nga 4 serbë, kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm që Asociacioni të themelohet sipas “modelit kroat” për pakicën serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat