Zogaj: Masakra në Dubravë zgjati 5 ditë, më kanë mbetur edhe trutë e njeriut në duar kur kam shkuar për t’i dhënë ndihmën

Aktuale

Zogaj: Masakra në Dubravë zgjati 5 ditë, më kanë mbetur edhe trutë e njeriut në duar kur kam shkuar për t’i dhënë ndihmën

Më: 18 maj 2023 Në ora: 23:22
Bislim Zogaj

Ish i burgosuri Bislim Zogaj, si i dëshmitarë i mbijetuar i ngjarjes, ka rrëfyer tmerrin që ka përjetuar në masakrën e Dubravës.

Ai ka tretuar se masakra ka zgjatur për pesë ditë rresht, dhe ajo çfarë ka ndodhur brenda asaj kohe, mendja e shëndoshë e njeriut nuk mund ta konceptojë.

“Në Kosovë kemi mbi 200 masakra, por masakra e Dubravës dallon prej masakrave të tjera për dy arsye kryesore. E para, masakra e Dubravës është se kemi qenë brenda burgut, në asnjë formë nuk kemi qenë në rrezik për dikën, derisa për masakrat e tjera munden me u arsyetu ushtria serbe se kanë mundur me qenë të rrezikum. Gardianët dhe ushtria serbe apsolutisht nuk ka pasur mundësi me qenë të rrezikuar nga ne, sepse kemi qenë të paarmatosur, as lidhëse të këpucëve nuk kemi pasur. Dhe e dyta që është e rëndësishme është se ka qenë masakër që ka zgjatë pesë ditë, nga 19-24. Çdo masakër ka mundur me zgjat 2-3 orë ose brenda ditës, por kjo ka zgjatë pesë ditë. Mendja e shëndoshë e njeriut nuk mund ta konceptojë atë çfarë ka ndodh”, tha Zogaj.

Ai tha se ka dëshmitarë të mjaftueshëm të kësaj masakre.

“Mendja e shëndoshë e njeriut nuk mundet me e konceptu që qysh për katër ditë, me gjakftohtësi maksimale hyjnë gardianët, ushtarët serbë dhe vrasin njerëz dhe dalin, sikur të mbysnin ndonjë pulë e jo njëri”, tregon Zogaj.

Ai thotë se i ka ndodhur që t’i mbesin trutë e një viktime në duar, në kohën kur kishte shkuar për t’i dhënë ndihmën.

“Ka pasur raste kur kanë hyrë brenda kur e kanë ekzekutuar vëllain para vëllait tjetër që ka qenë i fshehur dhe nuk ka guxuar të ofshajë, por është dashur të rrijë pa frymë e të paktën ai të shpëtojë. E mos të flasim për të tjerat kur kanë gju granata për shakta, kur unë e kam pasur rastin kur më kanë mbetur trutë e njeriut në dorë, kur kam shku me ia dhënë ndihmën, kur kam pa organet që i kanë dalë nga shpina jashtë”, rrëfen Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat