Kurti: Po adresojmë sfidat për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit

Aktuale

Kurti: Po adresojmë sfidat për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit

Më: 19 maj 2023 Në ora: 12:15
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mërgatën shqiptare e konsideruar si një pasuri të çmuar për Kosovën, derisa shtoi se me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i jepet fund padrejtësisë ndaj diasporës.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri në konferencën “Diaspora Flet”, ku theksoi po ashtu se diaspora vazhdon të ketë rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, social e politik të vendit.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të zbatojë politika që e ndërlidhin diasporën me vendin.

Kurti: Me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i japim fund padrejtësisë ndaj mërgatës

“Diaspora është moti pasuri e çmuar e kombit tonë. Ne njohim mirë rolin dhe angazhimin e diasporës në Kosovë, por edhe vlerësojmë potencialin e saj si një nga burimet për zhvillim. Andaj, jemi të përkushtuar në punën tonë ditore për të zbatuar politikat të cilat e ndërlidhin rolin e diasporës jo vetëm si një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë por edhe si një forcë e jashtëzakonshme për ndryshimet të cilat kanë filluar të marrin formë në Kosovë... Akutalisht jemi drejt finalizimit të kornizës ligjore që reflekton vlerësimin tonë të thellë për kontributin e thellë të diasporës. Me ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i japim fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës për sa i përket votimit dhe po e përmbushim përfundimisht edhe një zotim tonin. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shpreh vullnetin politik, teksa ambasadat e konsullatat e Kosovës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra votimi”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti tha se për herë të parë janë duke dizajnuar një fond për diasporë, i cili sipas ti, paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet e institutet.

Shefi i qeverisë u shpreh se po punojnë në adresimin e sfidave për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit.

Kurti: Për herë të parë jemi duke dizajnuar një fond për diasporën

“Për të adresuar kërkesat e shumta që ka mërgata jonë për herë të parë jemi duke dizajnuar një fond për diasporën me qëllim ofrimin e resurseve financiare për të bashkëkrijuar ide të reja dhe për të ofruar zgjidhje kreative për komunitete ku jeni dhe veproni. Ky fond paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet e institutet për të adresuar objektivat kryesore në qasjen tonë për angazhimin, bashkëpunimin dhe bashkë-krijimin me mërgatën tonë. Po e theksojmë gjuhën shqipe sepse besojmë që këtu është çelësi i integrimit pa asimilim”, u shpreh Kurti.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi u shpreh se fokusi kryesor i tyre është dëgjimi i zërit të diasporës.

Derisa ka përmendur shumë aspekte legjislative që kanë ndërmarrë, ajo theksoi se në planin e zhvillimit kombëtar diaspora shihet si shtyllë për qeverisje të mirë.

Gashi: Fokusi kryesor është dëgjimi i zërit të diasporës

“Për neve fokusi kryesor është dëgjimi i zërit të diasporës për këtë arsye në vitin e parë të qeverisjes kemi në çdo cep të botës kudo që kanë shkuar ministrat, zëvendësministrat e përfaqësues të qeverisë kanë pas një ndërlidhje me komunitetin. Nuk është kjo patjetër vetëm temë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, diaspora është temë horizontale që prek çdo sektor të Republikës së Kosovës, por prek edhe jetën e bashkatdhetarëve tanë në fusha të ndryshme... Ne jem dera juaj e parë e ndërlidhjes pastaj janë këto celulat tjera, për këtë arsye në planit e zhvillimit kombëtar për vitin 2030 diaspora shihet si shtyllë në kuadër të politikës horizontale për qeverisjes të mirë... Për qeverinë tonë diaspora shihet si ekspertizë si njohuri dhe si agjendë i ndërlidhjes në këtë rast për këtë arsye kemi lansuar platformën për diplomaci qytetare”, theksoi ajo.

Konferenca “Diaspora flet” është organizuar nga “Germin” për tri ditë me radhë më 18, 19 dhe 20 maj, tema e përgjithshme e saj ishte “Si mund të bashkë-krijojmë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat