​Shënohet Dita Botërore e Metrologjisë, premtohet zhvillimi i kapaciteteve të AMK-së

Aktuale

​Shënohet Dita Botërore e Metrologjisë, premtohet zhvillimi i kapaciteteve të AMK-së

Më: 19 maj 2023 Në ora: 13:16
Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënoi sot Ditën Botërore të Metrologjisë, me ç’rast u theksua rëndësia e zhvillimit të kapaciteteve të Agjencinë së Metrologjisë së Kosovës.

Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se kanë ngritur aftësitë teknike dhe profesionale të metrologjisë në Kosovë, duke i aktivizuar disa laboratorë, që fokusohen në sigurinë dhe cilësinë e produkteve.

“Përmes metrologjisë mund të verifikohen specifikimet e produkteve dhe të sigurohen që ato t’i plotësojnë standarde të përcaktuara, duke ndihmuar pazëvendësueshëm në zbatimin e rregulloreve të sigurisë në shumë industri. Si e tillë, me rol unik në shumë degë, përfshirë shkencën, teknologjinë, industrinë, prodhimin, kontrollin e cilësisë, tregtinë, sigurinë e produkteve dhe shërbimeve, metrologjia na del çelës garantues për matjen dhe performancën e produkteve që ne përdorim, sidomos sot në botën e dominuar nga teknologjia edhe inovacioni. Për të siguruar suksesin e metrologjisë është e rëndësishme të investojmë në zhvillimin e kapaciteteve të laboratorëve metrologjik, trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve të metrologëve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Vetëm duke pasur parasysh domethënien jetike të saj mund të kemi një botë të sigurtë dhe më të besueshme për qytetarët tanë”, tha ajo.

Ndërsa, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, Sebahate Burshani tha se janë bërë përparime të dukshme në avancimin e laboratorëve të AMK-së në pajtim me standardet ndërkombëtare.

“Gjatë kësaj kohe Agjencia e Metrologjisë së Kosovës ka bërë përparime të mëdha në avancimin e laboratorëve në pajtim me standardet ndërkombëtare. Legjislacionin, AMK në fushën e implementimin e ligjeve në fuqi ka miratuar nëntë akte nënligjore. Udhëzimi administrativ për lartësimin e tarifave, për shërbimin e metaleve të çmuara, po ashtu për mënyrën e kontrollit të cilësisë së punimeve nga metalet e çmuara...Në funksion të vendosjes së sistemit të cilësisë për laboratorët verifikues dhe kalibrues, AMK-ja zgjirin e gjurmëueshmërisë së matjeve e bëmë nga etalonët ndërkombëtar, tek ata shtetëror. Gjithashtu nga etalonë primar, gjurmëueshmëria është përcjellë tek etalonë sekondar”, shtoi ajo.

Dita Botërore e Metrologjisë shënohet në kuadër të përvjetorit të nënshkrimit të Konventës së Metrit. Në vitin 1875, në Paris është mbajtur një konferencë diplomatike për metrin, ku 17 qeveri shtetesh, kanë nënshkruar traktatin e Konventës së Metrit. Nënshkruesit e kësaj Konvente kanë vendosur të krijojnë dhe financojnë një institut të përhershëm shkencor me emrin “Byroja Ndërkombëtare e Peshave dhe Matjeve”, që shkurtimisht njihet BIPM. Kjo konventë ka vendosur bazat e bashkëpunimit botëror në shkencën e matjeve dhe aplikimeve të saj në industri dhe tregti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat