Gjykimi për shpëlarje parash, të akuzuarit mohojnë se gjatë punës së tyre si shpediterë të kenë lëshuar fatura fiktive

Aktuale

Gjykimi për shpëlarje parash, të akuzuarit mohojnë se gjatë punës së tyre si shpediterë të kenë lëshuar fatura fiktive

Më: 19 maj 2023 Në ora: 21:57
Foto nga vendi i ngjarjes

Të akuzuarit për shpëlarje parash dhe vepra tjera penale, Nuhi Hoxha dhe Shahe Tahirukaj, gjatë dhënies së mbrojtjes së tyre, në seancën e së premtes kanë thënë se gjatë punës së tyre si shpediterë doganor nuk kanë lëshuar fatura.

Nuhi Hoxha dhe Shaha Tahirukaj po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprën penale “Shpëlarje parash” si dhe për veprat tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kom pas autorizim me lëshu, nuk kam lëshuar asnjëherë”, tha i akuzuari Hoxha.

Po ashtu, edhe e akuzuara Tahirukaj mohoi të ketë lëshuar lëshuar fatura fiktive.

“Faturat i ka lëshuar të gjitha kontabilisti, si njëri dhe tjetri, e kam fjalën për dy kontabilistët, mirëpo, unë nuk mendoj se ato fatura janë kanë fiktive, pasi që unë kam pas importe në firmat e mija sepse firma jem s’ka qenë vetëm shpedicion por edhe import-eksport”, deklaroi ajo.

Këto deklarime, të akuzuarit Hoxha dhe Tahirukaj i kanë thënë duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësve të tyre, avokatëve Emrush Kastrati dhe Betim Shala.

I akuzuari Hoxha gjatë deklarimit të tij ka thënë se nuk ka blerë mallra, por vetëm ka bërë pagesat e mallrave që kanë ardhur në Kosovë nga vendet e ndryshme.

Ai tha se këto pagesa i ka bërë në bazë të autorizimeve që ka pasur nga firmat dhe përmes faturave të rregullta.

“Dhe pagesat i kam bo unë me faturë të rregullt, qato malli u ardh dhe kur ka ardh malli dogana na ka thirrë, p.sh. unë kam qenë në Pejë dhe ka bo vaki e ka ç’doganu naj shpediter tjetër, zakonisht kom pagu mallra të kinezëve”, tha i akuzuari Hoxha.

Sa i përket autorizimeve bankare Hoxha tha se ka qenë i autorizuar vetëm për deponim e tërheqje, ndërsa lidhur me autorizimet që të njëjtit iu kishin konfiskuar gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, ai tha se ato kanë qenë të palëve.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Atdhe Dema, i akuzuari Hoxha deklaroi se gjatë periudhës kohore për të cilën akuzohet ka pasur licencë si shpediter.

Sipas Hoxhës, shpediteri është një lloj ndërmjetësuesi në mes palëve dhe doganës.

“Na kena pas të drejtë kur të vjen pala që na ka autorizu edhe dogana naj ka aprovu atë autorizim, kena pas drejtë kur të kryhet lënda me bo pagesën në bankë, kur  ç‘doganohet një mall na kena shku në bankë e kena bo pagesë”, tha i akuzuari Hoxha.

Por, gjatë punës së tij për pjesën që i takon si shpediter ai tha se nuk e ka konsultuar ligjin.

Tutje, i njejti ka thënë se autorizimet si shpediter doganor i ka pasur për procedura doganore dhe jo edhe për procedura tjera.

“Më së pari vjen malli në DUDA (Dokument Unik Doganor), tani bëhet pranimi, shikimi, vlerësimi dhe del fatura për pagesë të mallit dhe shpesh pala nuk është aty dhe ne i kemi bërë pagesat”, deklaroi Hoxha gjatë sqarimit të tij rreth procedurës doganore”, tha ai.

Hoxha gjithashtu gjatë deklarimit të tij tha se nuk i kujtohet se ka transferuar mjete nga xhirollogaria në vlera të ndryshme, si shuma prej 20 mijë e 660 euro, 43 mijë e 441 euro e 20 centë si dhe 104 mijë e 815 euro e 15 centë etj.,  shuma këto të cilat ia theksoi prokurori Dema.

Derisa Hoxha po deklarohej në mbrojtjen e tij dhe pasi që u konsultua me mbrojtësin e tij, avokatin Kastrati, i njëjti deklaroi se meqenëse nuk i kujtohen shumë gjëra që kanë ndodhur tani e tutje do të mbrohet në heshtje.

Edhe e akuzuara Tahirukaj deklaroi se ka pasur licencë si shpeditere doganore dhe sipas saj e njëjta ka vepruar sipas ligjit.

“Si shpeditere doganore je e obliguar me firmën që je në bashkëpunim të deklarosh mallin i cili ka ardh në pikën doganore dhe ja kryen të gjitha shërbimet si pagesat e doganës, TVSH dhe pagesat tjera”, tha ajo.

E njëjta ka thënë se gjatë periudhës 2006-2014 ka punuar në pika doganore si shpeditere dhe se ka udhëhequr firmat që kanë qenë në emër të saj dhe të vllaut të saj bashkë me dy kontabilistë.

Gjatë punës së saj, ajo tha se ka pasur kontakte me pronar të firmave që nuk ka pasur certifikatën si importues të mallit.

E në këto raste ajo tha se me firmën e saj ka kryer shpedicionin dhe eksport importin e asaj firme që ka kërkuar.

Tahirukaj pohoi se në llogarinë e firmës së saj janë derdhur 100 e 42 mijë euro dhe qëllimi i derdhjes së këtyre mjeteve ajo tha se ka qenë pagesa për makinat e përpunimit të mishit.

“Është bërë pagesa e makinerive në Zvicër, pagesa e transportit, doganës, TVSH dhe fitimit në atë vlerë dhe nuk mendoj se është fiktive asgjë”, ka deklaruar ajo.

Paraprakisht në këtë seancë, është bërë edhe administrimi i provave materiale.

Meqenëse ishte përfundimi i orarit të punës së gjykatës, seanca u ndërpre ndërsa e radhës u caktua më 22 qershor 2023.

Ndryshe, në këtë çështje penale kanë qenë të akuzuar edhe Edmond Curri, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, mirëpo ndaj tyre është pushuar procedura penale, për shkak se kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 29 dhjetor 2014, ka ngritur aktakuzë ndaj Nuhi Hoxhës për shkak të veprave penale “Shpëlarja e parave”, nga neni 32 par.2 pika 2.1, 2.2 dhe 2,3 dhe 2,8 të ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit, lidhur me veprat penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike nga neni 290 dhe shmangie nga tatimi nga neni 249 të KPK-së dhe veprave penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 290 par.2 lidhur me par.1 dhe veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, si dhe veprave penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, si ligj më i favorshëm.

PSRK-ja këtë aktakuzë e ka ngritur edhe ndaj Shahe Tahirukaj, për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 290 par.2 lidhur me par.1 dhe veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze, Shahe Tahirukaj dhe Nuhi Hoxha akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Në dispozitivin e pestë të aktakuzës, Nuhi Hoxha dhe Edmond Curri akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Për veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31  të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm të kryer në bashkëkryerje, sipas aktakuzës, janë të akuzuar edhe Nuhi Hoxha dhe Fisnik Kajtazi, pastaj Nuhi Hoxha dhe Mensur Peja.

Sipas PSRK-së, Nuhi Hoxha akuzohet se në periudhën kohore 2006-2014, në cilësinë e pronarit të firmës “Bimi SHPED” dhe i autorizuar në firmat “EDI”, “Rrufeje”, “FISI”, “A&E”, duke e ditur se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal, ato i ka deponuar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara e pastaj me qëllim të fshehjes së burimit, natyrës, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, ato i ka transferuar jashtë Kosovës në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Maqedoni dhe vende tjera, në shumën prej 2 milionë e 734 mijë e 708 euro, duke mos importuar fare mallra nga shtetet e lartshënuara.

Po ashtu, Hoxha akuzohet se gjatë viteve 2006-2014, ka shkelur ligjet e ATK-së dhe ligjet tjera, duke përpiluar dokumente të rreme, kur ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente këto me përmbajtje të rreme dhe ka keqpërdorur autorizimet që ia kanë dhënë bizneset e lartshënuara, e pastaj me veprimet e tij ka mundësuar që këto biznese të kenë përfitim të kundërligjshëm në vlerë 674 mijë e 312 euro e 79 centë, duke shmangur pagesën e të gjitha llojeve të tatimeve, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Për shmangie nga tatimi në periudhën kohore 2009-2013, Nuhi Hoxha akuzohet se personalisht dhe përmes firmës së tij “Bimi-Shped”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit që kërkohen me ligj, ka dhënë të dhëna të pavërteta, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me biznesin e tij, pasurinë, gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël se ai real, ku me këtë ka bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 30 mijë e 174 euro e 13 centë.

Ndërsa, e akuzuara Shahe Tahirukaj akuzohet nga PSRK-ja se në periudhën kohore 2007-2014, përmes përpilimit të dokumenteve të rreme ka shkelur ligjet e ATK-së dhe ligjet tjera, ku në periudha të kohëpaskohshme ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, nga të cilat ka përfituar provizion të kundërligjshëm prej 3%, duke përfituar kundërligjshëm dobi pasurore prej 18 mijë e 241 euro e 21 centë. Ajo akuzohet se me veprimet e saj u ka mundësuar bizneseve tjera përfitime të kundërligjshme, përmes shmangies së tatimeve, ku përfitimi për të tjerët është 401 mijë e 314 euro e 42 centë, ndërsa për vete apo personin tjetër ka përfituar 419 mijë e 555 euro e 63 centë.

Shahe Tahirukaj akuzohet edhe se prej vitit 2008-2014, përmes firmës NPSH “Rrufeja”, “Afërdita”, “Dardani-BK” dhe “Drenusha”, në pronësi të saj, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, ka deklaruar një qarkullim më të vogël se ai real i bizneseve në fjalë, ashtu që shmangie totale nga faturat fiktive me provizion 3% është 18 mijë e 241 euro e 9 centë dhe ajo nga qarkullimi fiktiv është

401 mijë e 314 euro e 42 centë , dhe në total, shmangia e përgjithshme dhe dëmtimi i buxhetit të Republikës së Kosovës është në shumën prej 419 mijë e 555 euro e 51 centë.

PSRK-ja për veprën penale “Shmangie nga tatimi” ka akuzuar në bashkëkryerje Nuhi Hoxhën dhe Shahe Tahirukaj se në periudhën kohore 2008-2014 kanë kryer shmangie nga tatimi në vlerë prej 7 mijë e 752 euro e 5 centë, pastaj Nuhi Hoxhën dhe Edmond Currin se në vitet 2007-2008 kanë shmangur pagesën e tatimit në vlerë 187 mijë e 83 euro e 10 centë, pastaj Nuhi Hoxhën dhe Fisnik Kajtazin se në bashkëkryerje në vitet 2007-2008 kanë shmangur pagesat tatimore në vlerë 393 mijë e 178 euo e 72 centë, dhe në fund të akuzuarit Nuha Hoxha dhe Mensur Peja, se në bashkëkryerje gjatë vitit 2007 kanë shmangur pagesat tatimore në vlerë 86 mijë e 478 euro e 82 centë. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat