Mesazh i fuqishëm i senatorëve Murphy e Peters në mbështetje të Kosovës- kjo është kërkesa e tyre për Serbinë

Aktuale

Mesazh i fuqishëm i senatorëve Murphy e Peters në mbështetje të Kosovës- kjo është kërkesa e tyre për Serbinë

Më: 22 maj 2023 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 17:54 më 22.05.2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë me senatorët Chris Murphy e Gary Peters

​Murphy përmend Asociacionin: Normalizimi do të çojë te njohja e ndërsjellë

Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, kanë kërkuar që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ata janë pritur në takim nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas së cilit kanë theksuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tyre është çështje që duhet të përfundojë këtë vit.

Para gazetarëve, kryeministri Kurti ka thënë se në takimin me dy senatorët amerikanë kanë diskutuar edhe për zhvillimet në vend, qeverisjen dy-vjeçare dhe synimet përpara.

Kurti: Na duhet zbatim i tërësishëm i marrëveshjes dhe pa kushtëzime

“Bashkëbiseduam edhe për raportet me fqinjin tonë verior Serbinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, me theks të marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit. Ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë dhe mundësi për normalizim të plot të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime”, ka thënë Kurti.

Senatori Chris Murphy ka thënë se nuk është rastësi që kanë nisur vizitat në rajon pikërisht këtu, duke shtuar se nuk kanë mik më të mirë se Kosovën.

Murphy: Serbia duhet të ndalojë që të mos pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

"Keni parë një rritje të jashtëzakonshme ekonomike dhe në investimeve të huaja këtu në Kosovë. Faleminderit për zotimin për ta luftuar korrupsionin dhe për përkushtimin e sundimit të ligjit dhe jemi me juve gjatë gjithë kohës. Patëm një bisedë të mirë për dialogun, të sinqertë, na vjen shumë mirë për marrëveshjen që keni arritur me Serbinë. E dimë që këto kanë të bëjnë me disa zgjidhje të vështira për të dyja palët. Serbia duhet të ndalojë që të mos pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Mendojmë se është e kuptueshme që të lejohet që komunat me shumicë serbe të kenë mundësinë për të bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë. Koha ka shumë rëndësi, është viti që duhet të kryhet kjo çështje dhe që të mundësohet lëvizja drejt normalizimit, e cila do të çojë te njohja e ndërsjellë”, ka thënë ai.

Edhe senatori Gary Peters ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes mes Serbinë.

Peters: Jemi të inkurajuar nga marrëveshja e cila është arritur

"Jemi të inkurajuar nga marrëveshja e cila është arritur dhe zbatimi është një prej çështjeve kryesore që duhet të mundësojë atë. Sa i përket edhe marrëdhënieve lidhur me forcat e armatosura, nuk ka asnjë dyshim që kemi një marrëdhënie të shkëlqyer mes ShBA-së me Kosovën. Çfarëdo incidenti ndërkombëtar apo të tjerë, ku ka nevojë që aleatët të bashkohen, vendi juaj gjithmonë ngrit dorën dhe jeni ndër të parët që ngritni dorën për të punuar me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, nuk është kurrfarë befasie që jeni ndër partnerët kryesor sa i përket ushtrimit fushor”, ka theksuar ai.

Senatorët amerikanë gjatë ditës kanë takuar edhe presidenten, Vjosa Osmani.

Kurti pas takimit me senatorët amerikan: Na duhet zbatim i tërësishëm i marrëveshjes, shpejtë dhe pa kushtëzime

Përveç Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim dy senatorë amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters.

Kurti ka njoftuar se me dy senatorët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, dhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot diskutuam edhe për zhvillimet e fundit në vend, për qeverisjen tonë, diç më shumë se 2 vjeçare, arritjet, progresin dhe synimet përpara. Biseduam edhe me raportet për fqinjët tonë verior Serbinë dhe rezultatet e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me theks te marrëveshja bazike dhe Aneksi i zbatimit”, tha Kurti.

Sipas tij, këto përbejnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe janë platformë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre, prandaj na duhet zbatim i tërësishëm i shpejtë dhe pa kushtëzime”, tha Kurti

Në fund Kurti i ka falënderuar të dy senatorët amerikan për vizitën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm për fuqizimin e lidhjeve ndërmjet shteteve mike, pantere dhe aleate.

Senatori Murphy: Serbia të mos e pengojë Kosovën në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatorët amerikan Chris Murphy dhe Gary Peters. Këta të fundit kanë kërkuar që Serbia të mos e pengojë Kosovën në rrugën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Pas takimit, presidentja Osmani ka thënë se Kosova është vendi më pro amerikan në botë, derisa kritikoi Serbinë për moszbatim të marrëveshjes së Ohrit.

Osmani: Komunat në Kosovë kanë të drejtë të mblidhen në Asociacione

“Në kuadër të diskutimeve për dialogun, i njoftova senatorët për listën e gjatë të shkeljeve nga ana e Serbisë. Kjo për mua nuk është një temë e thjeshtë administrative se kush e ka listën më të gjatë të obligimeve të pazbatuara, por ka të bëjë me paqe dhe stabilitet, gjë të cilën Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë. Mbi të gjitha ka të bëjë me sigurinë e rajonit tonë dhe mbrojtjen e rajonit tonë nga tendencat destabilizuese. Ne shpresojmë që zëri i senatit do të vazhdojë të jetë i qartë, kundër strukturave ilegale që po i terrorizojnë qytetarët serb në veri të vendit, të cilët janë edhe pjesë e grupeve trans-nacionale të krimit të organizuar, siç është thënë nga thesari amerikan. Sa i përket zbatimit të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, ashtu siç kam thënë gjithnjë, më lejoni të përsëris se Kosova nuk i ikë detyrimeve të saj, Kosova do të zbatojë secilin detyrim që është pajtuar si pjesë e këtij dialogu, përderisa e dina të gjithë se marrëveshja thotë se të gjitha nenet e saj janë njësojë të rëndësishme. Siç e dini komunat në Kosovë kanë të drejtë të mblidhen në Asociacione për të ndihmuar punën e tyre, por e gjithë kjo në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, si dhe qëndrimin e shkruar të qeverisë amerikane përmes zotëri Chollet dhe Escobar”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, dy senatorët amerikan kanë ofruar mbështetjen ndaj Kosovës, ndërkohë kërkuan nga Serbia që mos të pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Senatori Chris Murphy, ka thënë se aleanca e ShBA-ve me Kosovën është e fuqishme dhe jetike.

Ai ka thënë se Serbia duhet të zbatojë marrëveshjen e fundit, por edhe Kosova të konkretizojë zotimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Murphy: Aleanca me Kosovën është e fuqishme dhe jetike

“Kjo aleancë, kjo marrëdhënie bilaterale është e fuqishme, qëndrueshme dhe është jetike. Kur ShBA-ja ka nevojë për ndihmë, thirrjet e para janë tek miqtë tanë në Kosovë. Nuk është rastësi që Kosova është ndër vendet e para që ngritët në këmbë dhe deklaron se agresioni i Vladimir Putinit nuk mund të pranohet dhe është bashkë me ShBA-në në njoftimin për sanksione. Po ashtu nuk është rastësi që kur ShBA-ja ka nevojë për t’i larguar aleatët nga Afganistani, Kosova ka treguar vetën duke ndihmuar. Nuk është rastësi që po e fillojmë udhëtimin tonë me partnerët tanë në Prishtinë. Po ashtu e çmojmë shumë vëmendjen që qeveria po ia kushton vëmendjen sundimit të ligjit dhe rritjes ekonomike...Na vjen mirë që po e shohim marrëveshjen e fundit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që përfshinë njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare, por edhe hapa të vështirë që duhet të ndërmerren nga dy palët. Serbia duhet të ndalojë të pengojë Kosovën për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Kosova ka marrë një përkushtim edhe t’iu lejuar komunave të bëhen bashkë në një Asociacion”, ka shtuar ai.

Mbështetje ndaj Kosovës ka deklaruar edhe senatori tjetër, Gary Peters.

Peters: Marrëdhënia ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës është me të vërtet speciale

“Marrëdhënia ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës është me të vërtet speciale, kam pasur privilegjin të udhëtojë në krejt botën, por nuk ma merr mendja që ka ndonjë vend tjetër në botë që ka një miqësisë më të fortë sesa e kemi këtu. E ndjejmë miqësinë që kemi këtu, e ndjejmë kur jemi këtu në rrugë tek njerëzit dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtë që kjo demokraci të jetë e fortë dhe fuqizohet edhe më tej...Do të vazhdojmë të shohim mundësitë për të forcuar mundësitë për sigurinë kibernetike, gjithashtu edhe për përmirësimin e marrëdhënieve të forcave ushtarake të ShBA-së për ndërveprueshmërinë me tërë Evropën”, ka theksuar ai.

Pas takimit me Osmanin, dy senatorët amerikan do të takojnë edhe kryeministrin Albin Kurti

Senatori amerikan, Chris Murphy, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova e kanë një marrëdhënie të fuqishme që do të fuqizohet edhe më shumë.

Ai, në një konferencë për media pas takimit që e pati sot me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se kanë biseduar për dialogun Kosovë-Serbi dhe për miqësinë Kosovë-ShBA.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që është e mundur në rrugëtimin transatlantik të Kosovës dhe rrugëtimin evropian. Më vjen mirë për marrëveshjen e fundit që është arritur në Bruksel që përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare”.

“Por edhe hapat e vështirë që duhet ndërmerren nga të dyja palët. Serbia duhet të ndalojë për të qenë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosova e ka marrë një zotim për t’u lejuar komunave që të bashkohen në një asociacion. Mendoj se zotimet sipas asaj marrëveshjeje të realizohen sa më shpejtë që është e mundur”.

“Mos u lajthitni marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së është e fuqishme dhe do të fuqizohet edhe më tej”, ka thënë Murphy.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat