Konjufca shkarkon Drilon Gashin që e rrahu me dru gruan e tij

Aktuale

Konjufca shkarkon Drilon Gashin që e rrahu me dru gruan e tij

Më: 22 maj 2023 Në ora: 14:56
Drilon Gashi

Pasi dolën lajmet se ishte dënuar me “vërejtje gjyqësore” për rrahjen me dru të gruas së tij, Drilon Gashi është liruar nga detyra e këshilltarit të kryetarit të Kuvendit.

Një gjë e tillë është konfirmuar nga Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të Konjufcës.

“Këshilltari Drilon Gashi është liruar nga detyra,” – u shpreh ai për Kallxo.

Rrahja me dru

Në vendim thuhet se Gashi për shkak të disa mosmarrëveshje e kishte goditur gruan e tij me grushta dhe dru, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kjo ishte interpretuar ndryshe më pas nga ana e gruas së tij, që kishte deklaruar se në fakt kishte ndodhur mes tyre një “zënkë” dhe se bashkëshorti i saj, Driloni, kishte pranuar edhe gjëra të cilat nuk kishin ndodhur.

Kush është Drilon Gashi?

Drilon Gashi kishte bërë famë të madhe duke kontestuar shumë prej ligjërimeve të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) përkundër që ishte pjesë e këtij institucioni. Ai kishte deklaruar se besonte te teoria e evolucionit sipas Charles Darwinit.

Më vonë, ai do të përjashtohej nga BIK-u pikërisht për shkak të këtyre bindjeve. Për një periudhë të caktuar, ai kishte mbetur i papunë.

Promovimi i një islami më liberal e kishte bërë Gashin njërin prej hoxhallarëve më të njohur në Kosovë, aq sa kishte kapur syrin edhe të kryekuvendarit Glauk Konjufca që e kishte emëruar këshilltar të tij kur ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat