Propozimi për Asociacionin, Vuçiq i ashpër me Escobarin

Aktuale

Propozimi për Asociacionin, Vuçiq i ashpër me Escobarin

Më: 24 maj 2023 Në ora: 20:57
Gabriel Escobar dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur kritika të forta ndaj të Dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kritika e serbit erdhi pas deklaratave të emisarit amerikan rreth çështjes së krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që sipas Escobarit është obligim ndërkombëtar i Kosovës, nga e cila pritet të dalë me një propozim për AKS-në.

“Më duhet ta njoftoj zotëri Escobarin dhe jam i sigurt se këtë nuk do të ma fal. Ai duhet pak të kthehet e të lexojë e rishikojë materialin. Pra ta lexoj se çka shkruan në Marrëveshjen e Brukselit, në anekset e parimet e saj. Kështu që autoritetet Prishtinës se kanë asnjë kompetencë apo të drejtë që të paraqesin një propozim. Kjo nuk na intereson fare”, tha Vuçiq, të martën mbrëma për televizionin publik serb, RTS.

Kryetari i Serbisë, shtoi se trupa që e ka ekskluzivisht detyrë, bërjen e draft-statutit për AKS-në është Ekipi Menaxhues, i përbërë nga katër serbë e që sipas tij është aktiv.

Por nga Prishtina të mërkurën erdhën sqarime qeveritare për Ekipin Menaxhues, që u lirua nga ky mandat më 3 maj një ditë pasi që në Bruksel, prezantuan draft-statutin e parë.

Ky dokument doli i papranueshëm për republikën kosovare.

“Ju e dini që kryeministri Albin Kurti në takimin e Brukselit ka prezantuar vizionin e tij për këtë situatë. Ne e kemi liruar Grupin Menaxhues, për shkak se Grupi Menaxhues ka përfunduar mandatin e tij në momentin edhe kur e ka bërë prezantimin e draftit. Nuk konsiderojmë se duhet të ketë një grup tjetër menaxhues për shkak se kjo nuk është çështje teknike, por është çështje puro politike. Dhe me politikë merret Kryeministri i Republikës së Kosovës”, theksoi të mërkurën në një konferencë për media, ministri për Administrimin të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Bashkimi Evropian, që është ndërmjetësues e lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka kundërshtuar lirimin e Ekipit Menaxhues nga ana e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se i njëjti duhet të jetë në funksion derisa të miratohet statuti i Asociacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat