Shkëmbim zjarri në kufirin Kosovë-Shqipëri, zbardhet ngjarja se si grupi kriminal sulmoi Policinë

Aktuale

Shkëmbim zjarri në kufirin Kosovë-Shqipëri, zbardhet ngjarja se si grupi kriminal sulmoi Policinë

Më: 26 maj 2023 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Policia e Kukësit ka dhënë informacione zyrtare për operacionin policor të koduar “Strukturimi” i finalizuar së bashku me policinë kufitare dhe Policinë e Kosovës.

Një grup i strukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së është goditur.

Të armatosur organizonin dhe drejtonin veprimtarinë kriminale të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga vendet e treta, përmes kufijve të gjelbër, mes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, janë vënë në pranga 6 shtetas sirianë dhe algjerianë, si dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër algjerian.

Në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, disa prej këtyre shtetasve kanë hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën tyre.

Pas disa orësh ndjekje nga shërbimet e Policisë vendore dhe kufitare të Kukësit, duke koordinuar veprimet me Policinë Kufitare të Kosovës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 6 prej tyre, si dhe shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër, bëhet e ditur në njoftim.

Vijon kontrolli i zonës për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të PKK Morinë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një grup të mirëstrukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte këtë veprimtari kriminale, kundrejt fitimeve, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Strukturimi”.

Në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.

Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasit :

-A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.

Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat