Lushtaku: Bashkësia Ndërkombëtare do të duhej t’i bënte thirrje Beogradit për mosnxitje të dhunës

Aktuale

Lushtaku: Bashkësia Ndërkombëtare do të duhej t’i bënte thirrje Beogradit për mosnxitje të dhunës

Më: 29 maj 2023 Në ora: 18:38
Mërgim Lushtaku

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se protesta e sotme në veri të vendit nga qytetarët serb kalon çdo protestë demokratike.

Madje ai në emisionin “Ditari”, tha se Bashkësia Ndërkombëtare do të duhej t’i bënte thirrje Beogradit që të mos nxisë dhunë dhe të mos përshkallëzojë situatën në vend.

“Ka pasur dhe lëndime edhe të KFOR-it dhe sigurisht që kjo është jashtë mase edhe realisht kalon çdo protestë demokratike. Prandaj thirrja më e madhe do të ishte nga Bashkësia Ndërkombëtare për Beogradin që mos të nxisë dhunë dhe mos të përshkallëzojë edhe më shumë rrezikun e Kosovës”, tha ai.

Kjo sepse sipas tij, Beogradi është përkëdhelur mjaft nga Bashkësia Ndërkombëtare sidomos me rastin e luftës në Ukrainë.

“Ne e dimë shumë mirë që është përkëdhelur mjaft mirë Beogradi sidomos edhe me rastin e luftës Rusi – Ukrainë dhe kjo është ai elementi kryesor që po mundohen ta ledhatojnë edhe Beogradin në këtë aspekt. Po besoj që ne si parti politike duhet të mendojmë për projektin nacional duke qenë se ne kemi pranuar qysh herët që duhet ti përfaqësojmë çdo qytetarë qoftë turk, qoftë boshnjak, qoftë i komunitetit serb me mënyrë demokratike në vend”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat