Kurti: Të vazhdueshme, përpjekjet tona për mbrojtjen dhe ngritjen e mirëqenies së fëmijëve

Aktuale

Kurti: Të vazhdueshme, përpjekjet tona për mbrojtjen dhe ngritjen e mirëqenies së fëmijëve

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 18:25
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Arberie Nagavci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të aktiviteteve në shënim të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve mori pjesë në diskutimin e hapur me nxënës të komunave të ndryshme të vendit, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Para fëmijëve të shumtë dhe të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se përpjekjet e Qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për realizimin e atyre të drejtave dhe për ngritjen e mirëqenies së fëmijëve, janë edhe të vazhdueshme edhe konkrete. Ai, siç u bë e ditur në komunikatë, tha se qeveria është duke e zbatuar Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve dhe ato sektoriale, të cilat prekin interesat e fëmijëve.

Kurti tha se është aprovuar Strategjia e Arsimit 2022-2026, të cilat janë të domosdoshme, sepse politikat qeveritare, politikat publike përbëhen prej dy komponentëve kryesore: prej ligjeve, legjislacionit dhe strategjive.

“Nuk mjafton veç ligji, nuk mjafton veç strategjia, duhen të dyja. Pra, politikat janë ligje plus strategji. E tash ne e kemi aprovuar Strategjinë për Arsim 2022-2026”, tha ai.

Kurti përmendi punësimin e 160 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara, 20 inspektorëve të arsimit, derisa potencoi se është duke u punuar në kurrikula për edukimin në fëmijëri të hershme.

“Në këtë diskutim u theksua po ashtu përkrahja prej 200 mijë euro për organizatat që mbështesin fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë në qendrat mësimore, 200 mijë euro tjera përkrahje për projektet e organizatave që mbështesin fëmijët me potencial të jashtëzakonshëm, ndarja e 500 bursave në vit për nxënësit romë, ashkali dhe egjiptian. Po ashtu, kryeministri tha se përmes pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masa 1.5, janë ndarë 957 kuponë për maturantë që janë trajnuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, 600 euro për kandidatë.”, u bë e ditur nga zyra e kryeministrit.

Për fëmijët tanë në mërgatë, kryeministri tha se është botuar teksti Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare-Niveli 1 për fëmijët në mërgatë, në mënyrë që të kenë edhe integrim atje ku jetojnë, por pa asimilim.

“E mësimi i mirë i gjuhës shqipe edhe i kulturës shqiptare është garancion që edhe integrohesh suksesshëm kudo që jeton, por në të njëjtën kohë edhe nuk asimilohesh për nga identiteti që ke”, tha ai, duke shtuar se në bashkëpunim me Shqipërinë janë në përgatitje të tekstit të dytë për mërgatën, dhe po ashtu është bërë unifikimi i Abetares kombëtare me Shqipërinë.

Në takim me nxënësit, në shënim të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, kryeministri bashkë me ministren Nagavci, iu përgjigjen interesimit të nxënësve, të cilat kryesisht ndërlidheshin me programin arsimor, edukimin, investimin dhe rritjen e cilësisë në arsim, për të ardhmen, për vullnetarizmin, për të cilat kryeministri tha se Qeveria është duke punuar shumë dhe me përkushtim dhe për këtë siç tha ai, është me rëndësi lidhja e arsimit me punësimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat