Kurti mirëpret studentët e Universitetit të Evropës Juglindore nga Maqedonia e Veriut

Aktuale

Kurti mirëpret studentët e Universitetit të Evropës Juglindore nga Maqedonia e Veriut

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 13:21
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot studentët, profesorë dhe drejtues të Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore pranë Universitetit të Evropës Juglindore nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

Këta të fundit, përderisa gjenden në Kosovë për një vizitë tradicionale studimore, u njoftuan nga kryeministri mbi çështjet më relevante dhe aktuale lidhur me vendin.

Gjatë bashkëbisedimit, u potencuan përmirësimet e dukshme në luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit, lirive civile dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Kryeministri, siç u bë e ditur në komunikatë, vuri në pah se të gjitha këto progrese janë të evidentuara nga raportet ndërkombëtare të Transparency International, World Justice Project, Freedom House e Reporterëve pa Kufij.

“Njëkohësisht, u përmend edhe progresi ekonomik me ç’rast studentët kuptuan se Kosova në dy vitet e fundit ka pasur rritje mesatare ekonomike për 7%. Kryeministri shtoi se të hyrat tatimore janë rritur për 2/3 dhe investimet e huaja janë dyfishuar. Ndërkaq, për herë të parë në Kosovë eksportet pritet të arrijnë vlerën prej 1 miliard euro.”, u bë e ditur në komunikatë.

Gjatë diskutimit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe studentëve u shtrua tema edhe mbi zhvillimet e fundit në vend dhe për situatën në veri të Kosovës.

Në fund të këtij takimi përmbajtjesor, studentët patën mundësi që të shpalosin interesimin mbi çështje të ndryshme përderisa kryeministri u shpreh i gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve që burojnë nga kureshtja dhe interesimi i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat