Albin Kurti tregon arsyen pse Vuçiq po refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit

Aktuale

Albin Kurti tregon arsyen pse Vuçiq po refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 13:34
Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e nënshkruan marrëveshjen e Ohrit, pasi është i vetëdijshëm që është në të mirë të Kosovës.

Këtë deklaratë Kurti e dha në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet debat parlamentar lidhur me situatën në veri.

“Gjatë bisedimeve që i kam në Bruksel dhe jo vetëm, udhëheqja e Serbisë, praktikisht është në kërkim të një makine kohore. Por, makinë kohore nuk mund të ketë. Duhet të ecim përpara, e përpara është sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje me përpikëri, pa kushte dhe në plotni. Pra, marrëveshjet e mëhershme Serbia i nënshkruante sepse i konsideronte të mira për veten e saj. Ndërkaq, këtë marrëveshje, Serbia e din shumë mirë që është e mirë për Kosovën dhe refuzon ta nënshkruajë. 39 marrëveshjet e mëparshme nuk ka refuzuar Beogradi t’i nënshkruajë, sepse përgjithësisht u kanë konvenuar. A në marrëveshjen e Brukselit e kemi njohjen “de facto”. Përshtypja ime është se Vuçiq është penduar se i ka thanë “po” marrëveshjes. Tash është penduar që ka thënë “po”, ndonëse se ka nënshkruar.”, deklaroi Kurti para deputetëve.

Kurti ka thënë se kur Policia e Kosovës ka hyrë në objektin e Komunës së Zveçanit, aty është gjetur fotografia e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Ndërtesat kanë qenë të braktisura nga strukturat paralele. Në Zveçan, kur ka hyrë Policia e Kosovës, e ka gjetur fotografinë e Vladimir Putinit, ai nuk është kryetar komune me të cilin është binjakëzuar Zveçani. Problemi këtu është i thellë, por ky problem nuk zhduket nëse i mbyllim sytë. Ky problem duhet demaskuar, duhet denoncuar. Fotografia e Putinit nuk është më në ndërtesën e Zveçanit. Dua të them, udhëheqjet që kanë qenë aty dhe i kanë braktisur ndërtesat, nuk kanë qenë thjesht kryetarë komunash. Ndërsa tani po, tani janë kryetarë të komunave. Më herët komuna nuk ka qenë komunë me fotografinë Vladimir Putinit. Sot, me kryetarët që janë zgjedhur, komuna është bërë komunë”, shtoi tutje Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat