Kuvendi mban tri seanca plenare gjatë kësaj jave

Aktuale

Kuvendi mban tri seanca plenare gjatë kësaj jave

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 14:56
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët fillimisht do të mblidhen të mërkurën me 7 qershor për të shqyrtuar një mori pikash të papërfunduara nga seancat e kaluara, kurse të enjten do të mbajnë fillimisht një seancë të veçantë plenare ku do të shqyrtohet Projektligji për reformën zgjedhore, ndërsa pas kësaj do të mbahet seanca e rregullt me pika të tjera në rend të ditës. Kjo u vendos sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ka një konsensus mbipartiak për miratimin e reformës zgjedhore, derisa bëri të ditur se të enjten pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

Kusari-Lila: Reforma zgjedhore të enjten si pikë e veçantë

“Jemi dakorduar të gjitha grupet parlamentare me një konsensus mbipartiak për reformën zgjedhore që të enjten të trajtohet si pikë e veçantë. Pas asaj hapet një seancë e re, e cila si zakonisht ka pikat e rregullta dhe ka katër marrëveshje ndërkombëtare”, tha ajo para mediave.

Miratimin e reformës zgjedhore e konsideroi të nevojshëm edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri: Në kuadër të reformës zgjedhore janë disa ndryshime thelbësore

“(Reformën Zgjedhore) Kemi arrit me përmbyllë dhe me bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, të gjitha grupet parlamentare që kemi qenë pjesë e këtij komisioni. Më në fund do t’i dërgohet për trajtim seancës të enjten në orën 10:00, si pikë e veçantë. Ju e dini se janë disa ndryshime esenciale dhe thelbësore të sistemit tonë zgjedhor. Duke filluar nga vota preferenciale, propozimet që janë bërë, nga lehtësimi i votimit të diasporës, pastrimit të ligjit me një pjesë të dispozitave që nga koha e UNMIK-ut, çështjen e numërimit të votave dhe shumë çështje të tjera”, theksoi Tahiri.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do të propozojnë rritje të koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro, përmes amendamentimit të Ligjit të buxhetit.

Tahiri: Të rritet koeficienti i pagave

Për neve si AAK është e rëndësishme interpelanca ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, që ndërlidhet me koeficientin për zyrtarët publikë, rritjen e koeficientit me një amendamentim të Ligjit për Buxhet nga 105 në 129 sa ne kemi rekomanduar dhe të njëjtën kohë dislokimin e mjeteve për projektet kapitale”, theksoi ai.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme të Kryesisë u bë e ditur se do të dalë në pension sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

I njëjti në një adresim para mediave, u shpreh falënderues ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve të tij në 17 vjet që ka mbajtur këtë post.

Krasniqi: Jam i kënaqur që kam arritur që afër 17 vite të jem krahu i djathtë i deputetëve

Jam i kënaqur që kam arritur që afër 17 vite të jem krahu i djathtë i të gjithë deputetëve të cilët kanë pasur nevojë për këshillat e administratës. Ndërsa juve(mediave) një falënderim të veçantë për përcjelljen e punës sonë të drejtë, të saktë dhe me kohë”, deklaroi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat