Serbët sulmojnë me gurë një veturë të Policisë në Zveçan

Aktuale

Serbët sulmojnë me gurë një veturë të Policisë në Zveçan

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 15:56
Foto nga vendi i ngjarjes

Një veturë e Policisë së Kosovës është sulmuar sot (e hënë) nga protestuesit serbë derisa ishte duke patrulluar në drejtim të Komunës së Zveçanit.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka bërë të ditur se vetura është sulmuar me mjete të forta.

Mund të konfirmojmë se, një veturë policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të Komunës së Zveçanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se si pasojë e sulmit me mjete të forta (gurë), veturës i është thyer xhami, dhe se e njëjta është larguar nga ai lokacion.

“Nuk raportohet për të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar”, ka shtuar ai.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat