Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin – Qeveria e Kosovës jep detajet e takimit

Aktuale

Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin – Qeveria e Kosovës jep detajet e takimit

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 21:03 Përditësuar në ora: 21:02 më 05.06.2023
Foto nga takimi

​Escobar dhe Lajçak mbërrijnë për takimin me Kurtin

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, kanë mbërritur në ndërtesën e Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e tyre ka si qëllim të gjejë një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale e tensionuar në veri, e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Ata përveç takime me drejtues të institucioneve në Prishtinë, pritet ta vizitojnë edhe veriun e vendit.

BE në një deklaratë për media, ditë më para theksoi se qetësia duhet të rivendoset urgjentisht.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative. Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo de-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t'i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera përveç ndërtesave komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe. Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton mbrojtje, siguri dhe demokraci me pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët, dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratë.

Prej 26 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.

Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në vendin tonë.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore afër ndërtesave në veri.

Kurse, disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë, duke respektuar ligjet e Kosovës.

Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.

Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por kryesisht nga Serbia nuk janë zbatuar.

------------------

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në ndërtesën e Qeverisë, ku po pritet të takojë emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti është paraparë të takohet me Lajçakun e Escobarin nga ora 20:00, por dy emisarët ende nuk kanë arritur.

Kurti ishte i pranishëm në finalen e Kupës së Kosovës në futboll mes Prishtinës e Gjilanit, të cilën e fitoi Prishtina 2:0.

Ai ia dorëzoi trofeun kapitenit të Prishtinës, Gledi Mici.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat