Eksperti i sigurisë: Dërgimi i trupave shtesë të KFOR-it tregon se situata mund të përshkallëzohet

Aktuale

Eksperti i sigurisë: Dërgimi i trupave shtesë të KFOR-it tregon se situata mund të përshkallëzohet

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 00:32
Një ushtar i KFOR-it pranë ndërtesës komunale në Zveçan, më 2 qershor 2023.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala duke folur për situatën e krijuar në veri të vendit, ka thënë se ajo demantoi narracionin se Policia e Kosovës është fajtori kyç për eskalimin e situatave në veri.

Ai tha se në këto protesta për herë të parë nga paslufta patëm konfrontimin e trupave ndërkombëtare me grupet kriminale.

“Reagimi i faktorit ndërkombëtar në raport me situatën e sigurisë dhe politike në pjesën veriore është si rezultat i dështimit operacional të politikës së Qeverisë së Kosovës sa i përket procesit të saj politik për t’i rikthyer kryetarët e sapozgjedhur në objektet përkatëse. Kjo është si rezultat i asaj që nuk është menduar dhe planifikuar në aspektin më detaj çka do të ndodhë pas hyrjes së kryetarëve në objektet përkatëse, sa janë në gjendje ministritë përkatëse t’i mbështesin kryetarët dhe si është gjendja e aspektit të sigurisë”, tha Shala.

“Patëm ne një incident mes forcave policore të Kosovës dhe grupeve të organizuara kriminale të Beogradit, ku si pasojë patëm një reagim edhe nga KFOR-i dhe patëm konfrontimin e parë që nga paslufta i trupave ndërkombëtare me grupet kriminale. Për herë të parë kjo e dëshmoi faktin se ai narracioni i krijuar që Policia e Kosovës është fajtori kyç, për herë të parë është demantuar sepse pikërisht grupet kriminale nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë për qëllim të mbështesin çfarëdo strukture e cila garanton dhe lufton dukuritë negative dhe kriminale”, tha ai.

Sipas Shalës, vendimi që të dërgohen trupa të reja të KFOR-it tregon se situate mund të përshkallëzohet ende nëse nuk përfillen kërkesat e ndërkombëtarëve.

“Mbi këtë bazë, mbi këtë agresion të bërë nga grupet kriminale në drejtim të faktorit ndërkombëtar, është vlerësuar se duhet të ketë shtim të forcave operacionale në kuadër të batalionit taktik rezervë që vepron në kuadër të KFOR-it. Dërgimi i njësisë turke e dëshmon faktin që situata në të cilën ka hyrë Kosova në kontekstin e sigurisë mund të përshkallëzohet  në rast se nuk do të përfillen mirë kërkesat eksplicite që kanë ardhë nga faktori ndërkombëtar: shtensionimi, zgjedhje të reja dhe rikthimi në dialog. Nëse nuk kemi përfillje të këtyre kërkesave, shtimi i forcave do të jetë prioritet i KFOR-it sepse konsideroeht që ka potencial që situata të eskalojë”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat