Seanca e Kuvendit/ Miratohet në lexim të parë Projektligji për çmimet e barnave

Aktuale

Seanca e Kuvendit/ Miratohet në lexim të parë Projektligji për çmimet e barnave

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 08:12 Përditësuar në ora: 19:24 më 07.06.2023
Kuvendi i Kosovës

Po krijohet sistem rregullativ, Kuvendi miratoi në lexim të parë Projektligjin për çmimet e barnave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për çmimet e barnave.

Vitia, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar deputetët që kanë përkrahur këtë ligj.

“Kuvendi sapo miratoi në lexim të parë Projektligjin për çmimet e barnave. Falenderoj pa masë të gjithë deputetët që e përkrahën këtë nismë jetike për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë!”, ka shkruar Vitia.

Ndryshe në mars të këtij viti, kur Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë Projektligj, Vitia kishte thënë se herë të parë në vendin tonë po krijojmë një sistem rregullativ për çmimin e barnave.

“Sot në mbledhjen e Qeverisë miratuam Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

Pres nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që ta trajtojë e miratojë sa më parë që është e mundshme.

Kësilloj qytetarët tanë, me hyrjen në fuqi të ligjit, do të jenë të mbrojtur nga çmimet abuzuese, të papërballueshme e të paunifikuara të barnave anekënd vendin tonë. Ndërsa shpenzimet për furnizimin me barna nga buxheti i shtetit më të përballueshme dhe më të kontrolluara”, kishte shkruar ministri Vitia.

S'kalon projektligji i PDK-së për pensionim të parakohshëm të policëve, mazhoranca kundër

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Projektligjin për pensionimin e parakohshëm të policëve dhe punonjësve të Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore. Ky projektligj është propozuar nga Partia Demokratike të Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka konsideruar domosdoshmëri miratimin e këtij projektligji, ndërsa ka theksuar se propozohet që zyrtarët policor dhe punonjësit e IPK-së me autorizime policore të fitojnë të drejtën për pension të rregullt nëse mosha e tyre arrin në 55 vjet.

Musliu: Pensionimi i parakohshëm për policët duhet të mbështetet

“Si nevojë e kohës rregullimi i kësaj çështje kërkon vëmendjen e të gjithëve pa përjashtim dhe pa marr parasysh se kush e propozon....e në emër të PDK propozoj këtë projektligj që në të ardhmen do të rregulloj njohjen e së drejtës së pensionimit për zyrtarët policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore. Me këtë projektligj është propozuar që zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore të fitojnë të drejtën për pension të rregullt nëse mosha e tyre arrin 55 vjet dhe përmes këtij projektligji do të rregullohen dhe përcaktohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet dhe kategorizimin e pensioneve”, ka thënë ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se ky projektligj i propozuar nga PDK nuk është serioz dhe nuk e ka kalkuluar barrën buxhetore.

Dugolli: Projektligji i propozuar nga PDK duhet të jetë më serioz

“Një projektligj i tillë duhet të jetë më serioz dhe duhet të ketë një kalkulim dhe buxhetim dhe tek më pastaj të flitet rreth saj si çështje serioze. PDK nisma ka ardhur nga PDK që ka qenë 12 vite në pushtet dhe tani ka pritur për 2 vite në opozitë ta sjell këtë projektligj pa asnjë konsultim dhe asnjë kalkulim dhe si të tillë ne u kemi thënë edhe në Komision se nuk mund ta përkrahim sepse nuk dëshirojmë të ngjallim pritje të parealizuara për shkak se dihet fort mirë se një projektligj i tillë ka një kosto buxhetore duhet analizë më e detajuar. Pritet edhe nga qeveria, imputi i qeverisë është i rëndësishëm në mënyrë që të jetë një ligj i zbatueshëm”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar që edhe mazhoranca ta përkrahë këtë projektligj, derisa ka theksuar përkrahjen nga ana e LDK-së.

Zemaj: Mosha e pensionimit të parakohshëm të jetë e favorshme për fuqizimin të Policisë së Kosovës

“Mosha e pensionimit të parakohshëm të jetë e favorshme për qëndrueshëm ose fuqizimin tutje të Policisë së Kosovës. Ne e kemi për obligim që të garantojmë trajtim financiar për policinë e Kosovës pavarësisht të metave që jemi edhe krenar edhe për punën dhe mënyrën se si është krijuar në Kosovën e pasluftës....interesi është që të ulet mosha mesatare dhe të kemi një strukturë shumë më efektive ashtu siç dëshirojmë të gjithë“, theksoi ai.

Qeveria e Kosovës nuk ka paraqitur mendim për këtë projektligjit, derisa i njëjti është dërguar në seancë pa mbështetjen e mazhorancës në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Deputetet e Kuvendit të Kosovës kanë miratuan në lexim të dytë Projektligjin për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut. Pro këtij projektligji kanë votuar gjithsej 68 deputetë.

Fillimisht janë votuar 13 amendamentet e propozuara për këtë projektligj.

E me qëllim të harmonizimit të mëtutjeshëm me Strategjinë Sektoriale për Energji, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjinë është votuar të kthehet në Komisionin për Ekonomi në mënyrë që të bëhen plotësimet e mëtutjeme.

S’kalon rezoluta e PDK-së për shkarkimin e Hajdarit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar propozim-rezolutën për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Këtë propozim e kishte bërë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

PDK-ja përmes kësaj rezolute kishte kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari.

Kuvendi miratoi planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”

Në seancën plenare, ku po trajtohen pikat e papërfunduara nga seancat e muajt shkurt, mars, prill dhe maj u miratua sot plani hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Partitë opozitare vlerësuan se në këtë plan nuk janë marrë parasysh kërkesat e banorëve të asaj ane.

Në momentin kur u hodh në votim ky plan, në sallë ishin të pranishëm 83 deputetë, derisa 65 deputetë përfshirë edhe disa të opozitës e votuan këtë plan ndërsa, ishin edhe 8 absentime.

Arsyetimin për këtë plan e dha ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se me këtë plan hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” synohet mbrojtja e trashëgimisë dhe ndalimi i ndërtimeve pa leje.

“Me qëllim të mbrojtjes së kësaj trashëgimie kulturore kemi ofruar para jush dokumentin e planit hapësinor, në të cilin janë dhënë orientimet themelore në drejtim të mbrojtjes dhe shfrytëzimit racional të parkut. Jemi të sigurt se rekomandimet do të ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e kësaj zone, duke bërë të mundur përjetimin e saj nga ne dhe gjeneratat e ardhshme…Qëllimet kryesore të planit janë futja nën kontroll e zhvillimeve dhe zvogëlimin në maksimum i veprimeve abuzuese me mjedisin, aktualisht në mungesë të planit ndërtimet pa leje, për të cilat arsyetimet më të shpeshta janë se nuk ka procedurë formale për marrjen e lejeve të ndërtimit”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj kërkoi votimin e planit hapësirë për “Bjeshkët e Nemuna”.

“Ky plan ka për qëllim mbrojtjen e pyjeve, tokës, florës dhe faunës në territorin e parkut kombëtar dhe synon zhvillimin ekonomik e punësimin e asaj ane. Mungesa e zhvillimit ekonomik ka ndikuar po ashtu edhe në migrimin e popullsisë vendase e kjo paraqet edhe një arsye më shumë pse ky plan do të ketë edhe aspektin ekonomik të përfshirë“, tha ai.

Por, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se për shkak të ankesave të pranuar nga banorët nuk do të marrim pjesë në votim të këtij plani.

Ai kërkoi që plani të kthehet në dëgjim publik.

“Ne kemi marr disa vërejtje dhe ankesa në vazhdimësi nga banorët e kësaj ane dhe jemi në konsultim e sipër, prandaj sot si PDK nuk do të marrim pjesë në votim dhe konsiderojmë se kthimi i tij prapa duke iu nënshtruar një diskutimi më thelbësor do të ishte i rëndësishëm për t’i parë vërejtjen e banorëve dhe mendoj se kthimi prapa për të diskutuar me banorët e konsiderojmë të rëndësishëm”, theksoi ai.

Ndërsa, Besian Mustafa nga LDK kërkoi që fillimisht të votohet amendamenti i propozuar nga vetë ai e pastaj të hidhet në votim plani kombëtar për “Bjeshkët e Nemuna”.

“Të votojnë në këtë amendament e pastaj ta votojmë edhe vetë planin kombëtar për “Bjeshkët e Nemuna”, tha ai.

E deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj teksa përmendi disa nga kërkesat e rugovasve, kërkoi që plani në fjalë të mos votohet as nga pozita dhe as nga opozita.

“Ky draft nuk është i përditësuar dhe të dhënat janë të vjetra sot në Rugovë janë 2334 stane, janë 25 hotele, janë 20 restauronte, 175 firma që funksionojnë dhe 3 fabrika….Qytetarët e Rugovës kërkojnë….zonimi të bëhet duke u bërë ngastrat kadastrale në Pejë e jo siç është aktual, prona private të regjistruara në zonat kadastrale në territorin e Rugovës nuk duhet të përfshihet në park, nënndarja minimale të jetë 500 metra ose 5 ari….mos vendosja e laurës në hyrje të grykës së Rugovës…bëjë apel pozitë dhe opozitë që në këtë formë të mos e mbështesim mos ta bëjmë edhe një padrejtësi që ia ka bërë që 11 vite”, u shpreh ai.

Ndryshe, plani hapësinor për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka filluar qysh nga viti 2014.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat