Protesta e serbëve – Tri autoblinda të Policisë vendosen prapa ndërtesës së komunës së Zveçanit

Aktuale

Protesta e serbëve – Tri autoblinda të Policisë vendosen prapa ndërtesës së komunës së Zveçanit

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 09:23 Përditësuar në ora: 14:48 më 07.06.2023
Pamje nga veriu

Tri autoblinda të Policisë vendosen prapa ndërtesës së komunës së Zveçanit

Tri autoblinda të Policisë së Kosovës në Zveçan kanë lëvizur sot rreth orës 12:00 për disa metra, duke u vendosur prapa ndërtesës së komunës.

Ato po vazhdojnë të qëndrojnë ende në këtë lokacion, ndërsa nuk dihet nëse do të vazhdojnë rrugën në drejtim të Mitrovicës ose jo.

Protestuesit në Zveçan po qëndrojnë si rëndom nëpër tendat e improvizuara afër ndërtesës së komunës.

Disa prej tyre kanë luajtur basketboll deri në këto momente kur po raportojmë dhe tani kanë ndërprerë lojën për shkak të reshjeve të shiut.

Ushtarët e KFOR-it, të cilët janë në numër simbolik po vazhdojnë të qëndrojnë para objektit komunal.

Një numër i tyre është pozicionuar edhe në hyrje-daljet kryesore të kësaj komune.

Situata aktualisht është e qetë.

Situata në komunat në veri të Kosovës është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.

Situata e qetë në Leposaviq, objekti i komunës ende me tela gjëmborë

Një pjesë e protestuesve serbë në Leposaviq që nga mëngjesi i sotëm janë duke kaluar kohën me aktivitete të ndryshme sportive si voletjboll, tërheqje litari etj. Pjesa tjetër po qëndrojnë nëpër tendat e improvizuara të vendosura para ndërtesës së kësaj komune.

Ushtarët e KFOR-it, të cilët janë pozicionuar përreth objektit komunal që është i thurur me tela gjëmborë, po qëndrojnë përballë protestuesve.

Situata aktuale në këtë komunë është e qetë.

Situata në komunat veriore është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.

Qëndrim nën çadra dhe lojë volejbolli – protesta e sotme në Leposaviq

Moti me shi ka detyruar sot protestuesit serbë në Leposaviq që të qëndrojnë nën çadra.

Ndërkaq rruga pranë tyre, përballë objektit të komunës, është “stolisur” me një rrjetë volejbolli, ku fëmijët duket se po argëtohen.

Protestuesit serbë edhe sot para komunave në veri

Në komunat veriore të vendit, Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok, qytetarët serbë, kryesisht punëtorë të institucioneve, tashmë janë tubuar para ndërtesave komunale.

Ata po protestojnë që nga 26 maji kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, ndërsa numri i tyre si zakonisht në mëngjes është i konsiderueshëm.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, ndonëse në numër të vogël, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale.

Aktualisht situata e përgjithshme në këto komuna konsiderohet të jetë e qetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat