Marrëveshja me Danimarkën për të burgosurit, Qeveria miraton Projektligjin për ratifikimin e traktatit

Aktuale

Marrëveshja me Danimarkën për të burgosurit, Qeveria miraton Projektligjin për ratifikimin e traktatit

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 12:02
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Ratifkimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Miratimi i këtij projektligji është bërë sot gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllimi i këtij bashkëpunimi është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekzistuese mes dy vendeve.

“Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Drejtësisë në bazë të vendimit ka zhvilluar negociata me Mbretërinë e Danimarkës, andaj pas zhvillimit të këtyre negociatave është nënshkruar edhe traktati ndërmjet dy vendeve. Qëllimi është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekzistuese të bashkëpunimit të dyja vendeve duke marrë parasysh zhvillimin pozitiv në shërbimet korrektuese…”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, Kosova dhe Danimarka më 20 dhjetor 2021 nënshkruan një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

E pas kësaj në prill të këtij viti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe homologu i saj nga Danimarka, Nick Haekkerup, nënshkruan Traktatin i cili i hap rrugë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, përkrahjen e projekteve për energji të gjelbër dhe promovimin e sundimit të ligjit.

Për këtë huazim, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat