​Abbott për situatën në veri: Kosova duhet të dëgjojë këshillat e miqve

Aktuale

​Abbott për situatën në veri: Kosova duhet të dëgjojë këshillat e miqve

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 16:55
Nicholas Abbott

Ambasadori britanik, Nicholas Abbott deklaroi se nuk e ka lexuar ende draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Sipas tij, Kosova duhet t'i dëgjojë këshillat që vijnë nga miqtë dhe partnerët e saj në lidhje me situatën aktuale në veri.

Para mediave në hollin e Kuvendit të Kosovës, Abbott tha se njësia speciale nuk duhet të veprojë si roje për ndërtesat.

Abbott: Po vazhdojmë të kërkojmë dëpëshkallëzimin e situatën në veri

"Nuk kam pasur kohë ta lexoj ende (draft statutin e Asociacionit të propozuar nga Rama). Dua të them, siç e imagjinoni, ne mbetemi të shqetësuar si të gjithë aleatët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës për situatën në veri. Ne po vazhdojmë të kërkojmë dëpëshkallëzimin. Ne nuk besojmë se është e nevojshme që kryetarët e komunave të punojnë nga zyrat komunale dhe nuk besojmë realisht se ka nevojë që njësitë speciale të policisë të veprojnë si roje për ndërtesat. Ata kanë punë shumë më të rëndësishme për të bërë diku tjetër. Kështu që shpresoj shumë që në ditët në vijim të shohim një ndryshim. Do të shohim propozime, do të shohim shumë më tepër bashkëpunim ndërmjet agjencive të sigurisë. Natyrisht si Ambasador, unë jam duke folur me shumë njerëz të ndryshëm dhe po përpiqem të gjej se cila është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, deklaroi Abbott.

Ambasadori britanik shtoi se është një kohë e vështirë dhe Kosova duhet të dëgjojë këshillat që vijnë nga miqtë dhe partnerët e saj.

Abbott: Shqipëria është një vend që është shumë afër Kosovës

"Kjo është një kohë e vështirë dhe mendoj se duhet të jetë krejtësisht normale që Kosova të dëgjojë këshillat që vijnë nga miqtë dhe partnerët e saj. Shqipëria është një vend që është shumë afër Kosovës. Ne e dimë se javën e ardhshme do të ketë bisedime mes qeverive. Jam i sigurt se do të ketë shumë çështje në tryezë. Këshilla ime për qeverinë do të jetë që t'i dëgjojë të gjitha këto, të gjejë rrugën e duhur përpara, por një rrugë që tregon mirëkuptim për shqetësimet e miqve të saj", u përgjigj Abbott.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.

Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat