​Shoqëria civile: Partitë politike, unanime në cenimin e integritetit zgjedhor

Aktuale

​Shoqëria civile: Partitë politike, unanime në cenimin e integritetit zgjedhor

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 18:10
Kuvendi i Kosovës

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar pasi Kuvendi i Kosovës miratoi në dy lexime Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tyre, praktikat e miratimit të projektligjeve të rëndësishme, në procedura të përshpejtuara, janë në kundërshtim dhe të dëmshme me standardet e jetës parlamentare.

Në reagimin e organizatave është theksuar se projektligji në fjalë nuk adreson nevojën për reformë zgjedhore.

“Kuvendi i Kosovës miratoi sot projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme, në të dy leximet brenda të njëjtës seancë, e për më shumë dhe pa kosto financiare. Praktikat e miratimit të projektligjeve të rëndësishme në procedura të përshpejtuara janë në kundërshtim dhe të dëmshme për standardet e jetës parlamentare. Ky projektligj, nuk adreson nevojën për reformë zgjedhore, që u proklamua si e tillë edhe në vetë emrin e komisionit ad-hoc. Për më tepër, përmbajtja e këtij projektligji përveç pjesës ‘kozmetike’, nuk adreson shumë prej mangësive përmbajtjesore të sistemit. e në disa raste veçse i përkeqëson ato”, është thënë në reagim.

Organizatat e shoqërisë civile kanë deklaruar se do të ndjekin edhe format e tjera për kundërshtimin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

“Ne shprehim kundërshtimin tonë dhe vazhdojmë të alarmojmë publikun dhe të gjithë akterët se reforma zgjedhore, e nisur para më shumë se një dekade, u shfrytëzua nga partitë politike për akomodim të interesave partiake në dëm të integritetit zgjedhor, e jo me qëllim burimor të përmirësimit të sistemit zgjedhor dhe nivelit të përfaqësimit politik në Kosovë. Koalicioni i OJQ-ve të cilët janë të angazhuar për rritjen e integritet zgjedhor, duke vlerësuar këtë ligj të një rëndësie të veçantë për nivelin e demokracisë Kosovare, do të ndjek edhe format tjera për kundërshtimin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, i cili do ta cenojë integritetin zgjedhor”, është theksuar në reagim.

Sipas tyre, projektligji i miratuar reflekton më shumë kompromis në mes të partive politike të cilat kanë shtyrë përpara interesat e tyre në raport me integritetin e kandidatëve, votimin preferencial dhe jashtë vendit.

“Ndonëse me efektet të cilat do të cenojnë vlerat dhe standardet dhe integritetin zgjedho , me këto pasoja të këtij projektligji do të ballafaqohemi qysh në procesin e ardhshëm zgjedhor. Lista e kandidatëve dhe të zgjedhurit që mund të jenë pjesë e pjesë e Kuvendit të Kosovës, kuvendeve komunale apo kryetarë të komunave, potencialisht do të jenë individë të dënuar për vepra penale me më pak se një vit burgim, me kusht apo me gjobë – e që përbëjnë rreth 80% të rasteve vetëm viteve të fundit. Në anën tjetër, pozita e Kryesuesit dhe anëtarëve të KQZ-së do të politizohen dhe do dëmtohet kredibiliteti dhe imazhi i këtij institucioni të pavarur, për shkak se shkarkimi i tyre për shkelje të integritetit do të mund të bëhet vetëm me miratim të 2/3 të anëtarëve”, kanë deklaruar organizatat.

Organizatat përkrahëse janë: Demokraci për Zhvillim (D4D); Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF); Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS); Instituti Demokratik i Kosovës (KDI); Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD); Lëvizja FOL; Organizata ÇOHU.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat