Shënohet 145-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, konsiderohet model për frymëzimin e brezave

Aktuale

Shënohet 145-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, konsiderohet model për frymëzimin e brezave

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 15:46
Liderët shtetëror

Sot, në Prizren u mbajt manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aty u tha se kjo lidhje është shndërruar në platformë të fuqishme nacionale, ka projketuar krijimin e një shteti shqiptar dhe se ka shërbyer si model i përhershëm.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh e nderuar që mund të urojë të gjithë shqiptarëve 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, siç tha ajo, pikërisht nga vendi që në kujtesën e çdo shqiptari simbolizon vendin e lidhjes së përhershme me njëri-tjetrin.

Ajo deklaroi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e kombit.

Osmani: Lidhja e Prizrenit u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale

“Ajo shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtet të pavarur, si instrument të rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt familjes e vlerave më të larta qytetëruese perëdimore. Lidhja, megjithëse ishte thirrur brenda kornizës politike të paracaktuar nga Perandoria Osmane, tregoi vetëdije të lartë politike shtetërore dhe u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale.”, tha Osmani.

Ajo tha se Lidhja e Prizrenit ka shërbyer si model i përhershëm, nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh.

Osmani: Lidhja e Prizrenit ka shërbyer si model i përhershëm

“Lidhja e Prizrenit, përvjetorin e së cilës po e shënojmë sot ka shërbyer si model i përhershëm, nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh dhe nga i cili kanë buruar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor, sikurse ai i viteve të 90-ta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i cili shënoi projektin më të madh modern të shqiptarëve, modeli i së cilës gjendet pikërisht në veprat e patriotëve tanë të mbledhur në kërtë vend 145 vjet më parë”, u shpreh ajo.

Ajo potencoi se në frymën e Lidhjes së Prizrenit, pas dyditësh do të shënohet dita e çlirimit, e cila tha se është edhe rezultat i frymës së Lidhjes së Prizrenit dhe e vetëdijes së saj që është marrë si model dhe është shndërruar në platformë të veprimit politik.

Ndër të tjera, Osmani tha se liria e Kosovës ka ardhur nëpërmjet luftës çlirimtare, të shtetit e popullit të Kosovës, por edhe me përkrahjen e pakusht të shteteve aleate, të cilat edhe sot i gjenden pranë vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se data e 10 qershorit i kthen gjithmonë në Prizren për të kujtuar Lidhjen Shqiptare, e cila është themeluar pikërisht më 10 qershor të vitit 1878.

Ai tha se që nga koha e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri më sot, duke ecur nëpër etapa të ndryshme të historisë, në vazhdimësi, shqiptarët janë kthyer dhe rikthyer me mendje dhe me trup kah Prizreni dhe kah lidhja për t’i përtrirë lidhjet mes vete dhe me të tjerët.

Në manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kurti deklaroi se 10 qershori është në regjistrin e datave të rëndësishme siç është 28 nëntori dhe 17 shkurti.

Ai tha se 10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik shqiptarëve e i cili vazhdon edhe sot. Kurti potencoi se në kohën e Lidhjes së Prizrenit shqiptarët synonin bashkim forcash dhe avancim politik siç duam dhe ne sot.

Kurti: Populli kohës së lidhjes mbrojti territoret dhe interesat e siç duhet ta bëjmë edhe ne sot

“Në kohën e Lidhjes së Prizrenit shqiptarët synonin bashkim forcash dhe avancim politik atëherë siç duam dhe ne shqiptarët sot. Ne duam menaxhim racional të burimeve ekonomike si dhe ngritje të kapaciteteve sot siç donin shqiptarët e kohës së lidhjes atëherë. Me fqinjët ballkanikë përreth, Perandorinë Osmane mbi krye dhe fuqitë e mëdha në mes, krerët politikë dhe vetë populli shqiptar i kohës së lidhjes mbrojtën territoret dhe interesat e tyre politike atëherë siç duhet ta bëjmë edhe ne sot.”, tha Kurti.

Ai tha se vetëm të lidhur rreth Lidhjes së Prizrenit mund të avancohen interesat me aleatët.

Kurti: Besnikërisht rreth lidhjes mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona

“Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe ne si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja e Prizrenit shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë po këtu. Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb evropian. Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, evropian e amerikanë.”, tha ai, duke shtuar se për këtë lidhja“na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot.”

Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme të historisë së kombit shqiptar.

Ai u shpreh se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka punuar me të gjitha forcat për të afirmuar kombin shqiptar dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare.

Begaj: Lidhja e Prizrenit projektoi krijimin e një shteti shqiptar

“Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar, të lirë dhe të pavarur. Sot teksa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndrruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar.”, tha ai.

Begaj tha se e kanë përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që figurat historike kanë lënë si trashëgim. Ai tha se zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar dhe integrimi në familjen e madhe euroatlantike është mision, për të cilin duhet punuar të gjithë bashkërisht.

Ndërkaq, profesori Durim Abdullahu tha se më 10 qershor të vitit 1878 në Prizren ka nisur një rrugëtim i gjatë, i cili asnjëherë nuk merr fund.

Për nder të shënimit të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u prezentua edhe një ekspozitë.

Në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mori pjesë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, zëvendëskryeministra e ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, si dhe qytetarë të shumtë të trojeve shqiptare.

Ndryshe, sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat