​Dëshmitari i ZPS-së pretendon se në Bajgorë ishte qendër ndalimi ku mbaheshin civilë

Aktuale

​Dëshmitari i ZPS-së pretendon se në Bajgorë ishte qendër ndalimi ku mbaheshin civilë

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 12:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Gjykatën Speciale ka filluar të dëgjohet dëshmitari i tetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ka folur për një periudhë kur ai pretendon se në fshatin Bajgorë ka pasur një qendër ndalimi në të cilën sipas tij mbaheshin civilë.

Në gjykatoren ku të pranishëm janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së e ka filluar dëshminë e tij duke folur për disa stërvitje të UÇK-së që sipas tij janë mbajtur në objektin e shkollës në fshatin Bajgorë.

Ai është duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, dhe sipas tij në atë kohë shkolla ka qenë bazë që i takonte Zonës Operative të Llapit.

Sipas dëshmitarit, aty ishte i vendosur edhe shtabi i kësaj zone.

Dëshmitari: Në Bajgorë kemi pasur stërvitje

Ne mëngjes kanë qenë stërvitjet fizike, kemi pasur vrapim, sforcim të turpit, deri në orën 10 të mëngjesit, tani ka qenë pauza një orë një orë e gjysme, kur e kemi bërë edhe kohën e mëngjesit, pas mëngjesit kemi kaluar në stërvitje specifike, në përdorim të armëve gjuajtje me armë, si të bëjmë pastrimin e një arme, si ta çmontojmë një armë, nga armët më të thjeshta deri të armët të cilat i kemi pasur më të avancuara. Pastaj ka pasur edhe shpjegime si të bëhet përgatitja e një bunkeri, përdorimi i minave, përdorimi i armëve të kalibrit më të rëndë, nuk kemi pasur rast ti përdorim sepse kemi pasur mungesë që të tyre pro vetëm si të bëhet montimi apo çmontimi i tyre”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Dëshmitari i tetë i cili mban kodin 4323 ka thënë se kishin trajnerë të ndryshëm, në varësi prej ushtrimeve.

Ai nuk i ka kujtuar emrat e tyre por sipas tij komandat ishte personi i njohur si Remi.

Dëshmitari: Në stërvitjet në Bajgorë na është prezantuar komandant Remi

Është prezantuar komandant Remi i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të Llapit. Në njërën prej këtyre rreshtimeve të mëngjesit është bërë prezantimi i tij... Pas kryerjes së obligimeve të mëngjesit, rutinën ditore të cilën e kemi pasur, çdo herë ka qenë një person i cili e ka pasur një proces të cilin është dashur ta ndjek, në njërën prej këtyre ka qenë edhe prezantimi i komandant Remit i cili është shpjeguar se do të vijë dhe do të prezantohet kush është, ka qenë një fjalim përafërsisht 4-5 minuta, ka qenë fjalim falënderues, për kurajën, ka qenë fjalim informues”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se ishte në dijeni për ekzistencën e Zonës Operative të Llapit, edhe para fillimit të stërvitjeve.

Ai ka thënë se ka marrë pjesë në ato stërvitje që sipas tij do të duhej të zgjasnin dy javë por janë ndërprerë për pesë apo shtatë ditë.

Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së, një pjesë e seancës ka vijuar e mbyllur për publikun ndërsa me hapjen e saj prokurorja Silvia D’Ascoli ka bërë të ditur se ishin duke folur për një qendër të ndalimit në Bajgorë.

Prokurorja D’Ascoli: A kishit dijeni për ekzistencën e atij burgu që përpara se të merrnit pjesë në stërvitjen në Bajgorë?

Dëshmitari: Isha në dijeni.

Prokurorja D’Ascoli: Çfarë dinit për atë?

Dëshmitari: Jo diçka mirë specifike, vetëm e kemi ditur që ekziston një qendër e ndalimit dhe kjo ka qenë e njohur për gjithë qytetarët.

Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet afërsisht se kur morët vesh për ekzistencën e qendrës së ndalimit në Bajgorë?

Dëshmitari: Duhet me qenë vera e vitit ’98.

Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet si e morët vesh?

Dëshmitari: Kryesisht në bazë të gojëdhënave.

Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet se prej kujt apo me kënd, e keni diskutuar, apo prej kujt e keni marrë vesh?

Dëshmitari: Temat të cilat neve na kanë preokupuar si sidomos në vitin ‘98. Një prej temave që është bërë diskutimi më i madh ka qenë se si të mbijetojmë, si të sigurojmë ushqim apo si të gjendemi në rrethana të ndryshme në situatën të cilën jemi kanë si popullatë, një prej temave ka qenë edhe kjo, se ekziston një qendër e ndalimit në Bajgorë.

Sipas dëshmitarit, objekti në fjalë nuk ka qenë i fshehur për publikun.

Dëshmitari: Objekti i ndalimit në Bajgorë ka qenë i ditur për publikun

Nuk ka qenë një objekt i fshehur për publikun, ka qenë një objekt i ditur për publikun, në rrugën ku ka qenë objekti, me sa e kujtoj ka qenë e qasshme prej rrugës kryesore, ka kalu andej gjithë popullata civile. Për ne si qytetarë ka qenë e njohur për disidentë, apo edhe për njerëzit të cilët kanë shfrytëzuar momente të vështira të qytetarëve, plaçkitje, apo vjedhje të ndryshme. Ka qenë kryesisht e njohur për njerëz që kanë bashkëpunuar me armikun, të njohur si kolaboracionistë apo zhanrit popullor spiunë”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa i pyetur se kush konsiderohej kolaboracionist, dëshmitari ka thënë se bëhet fjalë për ata që kanë punuar për serbët.

Prokurorja D’Ascoli: Sa i takon burgut, qendrës së ndalimit në Bajgorë, a dini gjë nëse në atë qendër ndalimi mbaheshin të mbyllur civil apo ushtarë?

Dëshmitari: Po, ka pasur civilë.

Pas kësaj, seanca është mbyllur për publikun.

E në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues Charles Smith, ka bërë të ditur se kanë vendosur të ndryshojnë urdhrin e 23 marsit, përmes së cilit kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, tani duke e pranuar vetëm në pjesët përkatëse që do të përdorë mbrojtja e Veselit.

Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe nuk ka pasur kundërshtime nga palët.

Ndërsa një çështje tjetër që është trajtuar në fillim të seancës ka pasur të bëjë me kërkesën e ZPS-së për riklasifikim të disa dokumenteve.

Ndërsa çështja e tretë ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit.

Trupi gjykues ka vendosur që mbrojtja të përgjigjet për këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor.

Gjithashtu, nëse ZPS ka kundër-përgjigje, duhet të bëjë parashtrime deri në fund të orarit të punës më 16 qershor.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat