Kusari-Lila i drejtohet Tahirit: Mos dezinformo duke mbuluar dështimet e subjektit që përfaqëson në Kuvend

Aktuale

Kusari-Lila i drejtohet Tahirit: Mos dezinformo duke mbuluar dështimet e subjektit që përfaqëson në Kuvend

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 16:14
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila i ka reaguar shefit të GP të PDK-së, Abelard Tahiri në lidhje me deklaratën e tij se për shkak të mungesës së përfaqësuesit të LVV nuk ka pasur kuorum në mbledhjen e Kryesisë.

“Urime edhe ty Abelard Tahiri dita e çlirimit të Kosovës! Çka mund të bësh sot si duhet është të paktën të mos dezinformosh duke mbuluar dështimet e subjektit që përfaqëson në Kuvend!”, ka shkruar Kusari-Lila.

Sipas saj, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paraparë të mbahet ditën e sotme ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK, e jo për shkak të përfaqësuesit të VV-së.

“Për informim të drejtë të opinionit publik, sot mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK. Nuk është e vërtetë deklarata e shefit të GP të PDK-së që për shkak të mungesës së përfaqësuesit të LVV nuk ka pasur kuorum në mbledhjen e Kryesisë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Sipas saj, tendenca e ikjes nga përgjegjësia e obligimeve parlamentare nuk i bën nder opozitës dhe as nuk i shton vlerë demokracisë parlamentare.

“Për të satën herë me radhë, shefat e grupeve parlamentare NUK E BËJNË kuorumin e Kryesisë, atë e përbëjnë Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit. Sot prezent ishin, Kryetari Glauk Konjufca dhe Nënkryetari Bahrim Shabani nga pozita, ndërsa dy Nënkryetarët nga opozita pa ndonjë paralajmërim, nuk u paraqiten në takim”.

“Kjo tendencë e ikjes nga përgjegjësia e obligimeve parlamentare nuk i bën nder opozitës dhe as nuk i shton vlerë demokracisë parlamentare”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka kërkuar nga Tahiri që të tregon se pse nënkryetari i PDK-së nuk ishte prezent.

“Do të ishte mirë z. Tahiri të tregonte pse Nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk ishte prezent sot dhe jo të mundohej kotësisht të bënte kauzë opozitare të paqenë”, ka shkruar tutje Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat