Arifi: Asnjë qeveri nuk po i ndihmon shqiptarët e Luginës së Preshevës

Aktuale

Arifi: Asnjë qeveri nuk po i ndihmon shqiptarët e Luginës së Preshevës

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 00:05
Shqiprim Arifi

Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, ka thënë që qeveritë shqiptare nuk e kanë ndihmuar fare Luginën e Preshevës në 20 vjetët e fundit.

“Nuk ka asnjë qeveri e cila ka bërë diçka 20 vjetëve të fundit për Luginë të Preshevës, për t’i mbrojtur shqiptarët në Luginë të Preshevës, për t’i avancuar shqiptarët në Luginë të Preshevës, për të krijuar programe të cilat i ndihmojnë shqiptarët në Luginë te Preshevës, për të sjellë investitorë në Luginë të Preshevës”, ka thënë Arifi në Edicionin Special.

Ai e cilësoi të dobët kontributin e qeverive shqiptare me emërim të individëve nga Presheva në poste qeveritare, në krahasim me kontributin e qeverisë serbe për serbët e Kosovës.

“Nuk e besoj që një person mundet me e zgjidh një problem dhe nuk mundet me u arsyetu një qeveri kur e emëron këshilltar apo ministër dikë nga Lugina e Preshevës”.

“Unë jam t’u folë për programe strategjike, si për shembull programet e qeverisë serbe në Veri të Kosovës. Aty nuk flasin për dy milionë euro, por për 700, 900 milionë dollarë në 20 vjetët e fundit. Aty flasin për mbështetje politike, flasin edhe për asociacion të atyre komunave të cilën qeveria serbe e ka shty në 20 vjetët e fundit në agjendën ndërkombëtare”.

“Edhe aty flasin për një minoritet në Kushtetutën e Kosovës që është i mbrojtur dhe i avancuar, edhe i garantuar. Edhe në këtë kontektst, qeveritë shqiptare, në Prishtinë dhe Tiranë, nuk kanë bërë asgjë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat