Deputeti i VV-së: Ne jemi për zgjedhje të reja për kryetar të komunave

Aktuale

Deputeti i VV-së: Ne jemi për zgjedhje të reja për kryetar të komunave

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 06:24
Adnan Rrustemi

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka deklaruar se Qeveria është e gatshme të aprovojë kërkesën e ndërkombëtarëve për zgjedhje të reja për kryetarë komunash në veri të vendit.

Por që sipas tij, paraprakisht duhet të sigurohen që bandat kriminale atje të mos ushtrojnë siç tha ai, shantazhin e vazhdueshëm për të përsëritur dështimin e zgjedhjeve.

“Ndërkombëtarët kanë paraqitur tri kërkesa, Beogradi ka paraqitur dy kërkesa. Ndërkombëtarët kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe natyrisht mos paraqitjen e kryetarëve në objekte të komunave dhe largimin e Policisë. Këto dy të fundit janë kërkesa të transmetuara nga pozicioni i ndërmjetësuesit të kerkësave të Beogradit, dhe ne kërkesën e ndërkombëtarëve për sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme e kemi marrë në konsideratë, natyrisht ne jemi për zgjedhje të reja për kryetar të komunave në përputhje gjithmonë me legjislacionin dhe Kushtetutën. Siç parashihen mundësitë për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, por paraprakisht duhet të sigurohemi që sundimi i ligjit atje vendoset dhe bandat kriminale nuk do të ushtronin shantazhin e vazhdueshëm për të përsëritur dështimin e zgjedhjeve”, tha ai.

Tutje deputeti i LVV-së, tha se zgjedhje të lira dhe të ndershme kanë munguar gjithmonë në kom unat ku qeverisë Lista Serbe.

“Por për zgjedhjet eventuale duhet të garantojmë një mjedis për zgjedhje të lira dhe të ndershme në këto komuna. Sepse zgjedhjet e ndershme në këto katër komuna madje edhe në komunat tjera ku qeverisë Lista Serbe, kanë munguar si zgjedhje të tilla dhe ky është vlerësim i vëzhguesve ndërkombëtarë”, shtoi Rrustemi.

Ndryshe edhe kryeministri Albin Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të vendit e cila është edhe kërkesë e Bashkësisë Ndërkombëtare për qetësim të situatës.

Por, ai ka thënë se para mbajtjes së zgjedhjeve duhet të ketë vendosje të rendit dhe ligjit.

BE e SHBA kanë kërkuar zgjedhje të reja, mundësi për pjesëmarrje të serbëve dhe fillimin e menjëhershëm për formimin e Asociacionit pas trazirave të shkaktuara në veri, ku qytetarë serbë me protesta kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në objektet komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat