Banori shqiptar i Mitrovicës së Veriut: Ishim të shqetësuar pasi u ndez alarmi

Aktuale

Banori shqiptar i Mitrovicës së Veriut: Ishim të shqetësuar pasi u ndez alarmi

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 17:23
Banori shqiptar i Mitrovicës së Veriut

Një banor shqiptar Mitrovicën e Veriut ka thënë se janë shqetësuar pasi alarmi u dëgjua sot në atë pjesë për shkak se Policia e Kosovës e arrestoi drejtuesin e grupit kriminal “Mbrojtjes Civile”, Milun Milenkoviq, i njohur si Lune.

“Banorët këndej, pas alarmeve që u lëshuan, kanë qenë të shqetësuar”, tha ai në një lidhje direkte në T7.

Gazetarja Laura Çelaj, tha nga atje se situata tani është më e qetë.

Një numër i serbëve ishin mbledhur në udhëkryqin në rrugën “Lola Ribara”, gjegjësisht afër Shkollës Teknike dhe Shtëpisë së Shëndetësisë, pas arrestimit të Milenkoviqit. Mes serbëve të mbledhur, janë parë edhe disa nga ata që mbanin maska.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e përshkroi të arrestuarin Milun Milenkoviq si organizatorin kryesor të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj në Zveçan.

Mbi 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s kishin mbetur të lënduar në një përplasje me protestuesit e dhunshëm të cilët i goditën me ç’kishin ushtarët, duke hedhur në drejtim të tyre edhe mjete plasëse si shok-bomba dhe molotov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat