Vjosa Osmani me një mesazh nga Parlamenti Evropian për ngjarjet në veri të Kosovës

Aktuale

Vjosa Osmani me një mesazh nga Parlamenti Evropian për ngjarjet në veri të Kosovës

Nga: Bota sot Më: 14 qershor 2023 Në ora: 08:03 Përditësuar në ora: 15:03 më 14.06.2023
Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian

Osmani paralajmëron zgjidhje për situatën në veri: Drafti për Asociacionin po përgatitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar zgjidhje për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Osmani, pas adresimit në Parlamentin Evropian, u shpreh optimiste për t’i tejkaluar, siç i quajti ajo sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, derisa tha se nuk iu është përmendur asnjë sanksion nga partnerët ndërkombëtarë.

Në konferencë për medie nga Strasburgu, Osmani, bëri të ditur se Kosova është duke përgatitur draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Unë mund t’i quaj sfida me të cilat po ballafaqohemi tani, por sfida që do t’i tejkalojmë. Jemi në rrugë të duhur për t’i tejkaluar. Jam vazhdimisht në diskutime, kontakt me partnerët tanë në ShBA, me partnerët tanë me shtete individuale të BE-së dhe institucionet e BE-së. Do të them që jemi afër që rruga përpara të jetë një zgjidhje e përbashkët. Janë disa detaje që akoma duhet të diskutohen, por kam besimin e plot se kjo sfidë do të tejkalohet. Pasi rruga përpara duhet të jetë rruga e përbashkët... Sa i përket kërkesave ndërkombëtare, jemi afër dhe shumë prej çështjeve që janë kërkesa tona siç është sundimi i ligjit janë edhe kërkesë e tyre. Pastaj çështja e zgjedhjeve të reja, ka vullnet tek institucionet e Kosovës. Siç e dini këto zgjedhje organizohen nga KQZ-ja dhe presidentja i shpall zgjedhjet. Janë dy mundësi ligjore, e para varet nga vullneti politik i kryetarëve aktual, mundësia e dorëheqjes dhe e dyta e cila është shumë më demokratike dhe siguron pjesëmarrjen e serbëve në proces të zgjedhjeve të reja. Kjo është përmes 20 për qind të nënshkrimeve të listës së votuesve, jo nuk është numër i madh i nënshkrimeve”, tha ajo.

Osmani shtoi se propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin nuk është bërë në konsultim me institucionet e Kosovës.

Ajo tha se ekspertët në Kosovë po punojnë për hartimin e këtij drafti dhe i njëjti do të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin amerikan për Asociacionin.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë obligime në procesin e dialogut në Bruksel që institucionet e Kosovës të përgatisin draftin. Ai draft është duke u përgatitur, po bëhet punë dhe është ai draft i cili do të vendos bazamentin e diskutimeve në Bruksel, sa i përket Asociacionit, por gjithmonë duke pas parasysh tri perimetra të rëndësishme. E para është Kushtetuta jonë, dyta vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 dhe treta qëndrimi amerikan i botuar me shkrim nga Chollet dhe Escobar. Këto janë premisat dhe parametrat, ekspertët tanë po punojnë dhe draftet po konsolidohen. Kosova konsultohet me miq dhe ekspertë dhe në fund e propozon draftin e saj të cilin e ka marrë obligim”, theksoi Osmani.

Ajo u pyet edhe për anulimin e mbledhjes Kosovë-Shqipëri, ku tha se është detyrim kombëtar që dy vendet të ulen bashkë.

Osmani: Unë jam e bindur se Kosova dhe Shqipëria do të ulen bashkë

“Unë jam e bindur se Kosova dhe Shqipëria do të ulen bashkë dhe duhet të ulen bashkë. Jo vetëm që e kemi detyrim si dy vende që janë fqinje, por është detyrim kombëtar edhe kur nuk kemi sfida, por sidomos kur kemi sfida”, deklaroi Osmani.

Krahas këtyre, Osmani, tha se aleancat me partnerët ndërkombëtarë janë vlerë për Kosovën.

“Të arriturat tona të deritanishme, që janë të arritura kolosale të kombit tonë, përfshirë lirinë dhe pavarësinë janë të arritura të përbashkëta me aleatët tanë. Natyrisht edhe rruga përpara duhet të jetë e tillë. Ne duhet të kuptojmë që aleancat janë vlerë, fuqi dhe rrjedhimisht do të vazhdojmë të punojmë bashkë me miq në rrugën përpara”, përfundoi ajo.

Osmani të mërkurën iu adresua Parlamentit Evropian, ku foli për nevojën e përshpejtimit të rrugës integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

​Metsola: Mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të qetësuar tensionet në veri

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka theksuar sot nevojën e de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës.

Ajo ka thënë se mirëpret përpjekjet e institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa për të qetësuar situatën në veri dhe për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë.

Metsola: Mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të qetësuar tensionet në veri

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe pasojat për ngjarjet e fundit në vendin tuaj mund të ketë për stabilitetin e rajonit, si dhe nevojës së vazhdueshme të BE-së që të vazhdoj të theksoj dobitë e deeskalimit të krizave të tilla. Rrugëtimi i Kosovës vazhdon dhe kjo shtëpi e mirëpret përpjekjet e vendit tuaj për tu ballafaquar me sfidat dhe nevojën për të ndërmarrë hapa për të qetësuar tensionet dhe bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Parlamentit evropian ka shprehur përkrahjen për rrugën integruese të Kosovës në BE.

Metsola: Kjo shtëpi do të qëndrojë përkrah jush

“Kjo shtëpi ka qëndruar përkrah jush kur ka qenë e pamundur dhe tashmë duhet të theksojmë sa larg ka shkuar Kosova. Liberalizimi i vizave ka qenë i mundshëm, por tani mund të jemi krenar që më 1 janar të vitit të ardhshsëm qytetarët e Kosovës të kenë edhe këtë liri. Demokracia, liria e shprehjes dhe sundimi i së drejtës janë vlera fundamentale që kjo shtëpi e parlamentit qëndron fuqimisht”, ka thënë ajo.

Këto komente Metsola i ka bërë para adresimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian.

Osmani mbyll fjalimin në PE: Për Ukrainën dhe për Kosovën, agimi i ri është anëtarësim në BE

Presidentja Vjosa Osmani para Parlamentit Europian ka folur për luftën e Ukrainës, duke thënë se Kosova më së miri e kupton dhimbjen e popullit ukrainas meqë ka përjetuar të njëjtën.

Me Ukrainën, Osmani vendosi ta mbyllë edhe fjalimin e saj.

“Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë. Zgjodha të flas për vlerat e BE-së, sepse janë këto vlera që shërbejnë si busullë morale e jona dhe na udhëheqin ne dhe njerëzit tanë drejt majave më të larta të arritjeve njerëzore. Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane. Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha.

Dy ngjyra që tregojnë një histori. Qielli blu dhe dielli i verdhë. Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri. Për Ukrainën dhe për Kosovën, ai agim i ri është një paqe e drejtë dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për Evropën, është forca e shtuar nga aleancat e reja dhe uniteti. E kaltra dhe e verdha, ngjyrat e Kosovës, ngjyrat e Ukrainës, ngjyrat e Evropës, ngjyrat e lirisë”, përfundoi Osmani.

​Metsola: Mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të qetësuar tensionet në veri

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka theksuar sot nevojën e de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës.

Ajo ka thënë se mirëpret përpjekjet e institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa për të qetësuar situatën në veri dhe për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë.

Metsola: Mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të qetësuar tensionet në veri

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe pasojat për ngjarjet e fundit në vendin tuaj mund të ketë për stabilitetin e rajonit, si dhe nevojës së vazhdueshme të BE-së që të vazhdoj të theksoj dobitë e deeskalimit të krizave të tilla. Rrugëtimi i Kosovës vazhdon dhe kjo shtëpi e mirëpret përpjekjet e vendit tuaj për tu ballafaquar me sfidat dhe nevojën për të ndërmarrë hapa për të qetësuar tensionet dhe bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Parlamentit evropian ka shprehur përkrahjen për rrugën integruese të Kosovës në BE.

Metsola: Kjo shtëpi do të qëndrojë përkrah jush

“Kjo shtëpi ka qëndruar përkrah jush kur ka qenë e pamundur dhe tashmë dueht të theksojmë sa larg ka shkuar Kosova. Liberalizimi i vizave ka qenë i mundshëm, por tani mund të jemi krenar që më 1 janar të vitit të ardhshsëm qytetarët e Kosovës të kenë edhe këtë liri. Demokracia, liria e shprehjes dhe sundimi i së drejtës janë vlera fundamentale që kjo shtëpi e parlamentit qëndron fuqimisht”, ka thënë ajo.

Këto komente Metsola i ka bërë para adresimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian.

Osmani në PE e citon Rugovën: Shtëpia nuk mbahet pa miq

Në adresimin e saj në sesionin plenar të Parlamentit Evropian, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmendi fjalët emblematike të presidentit historik, Ibrahim Rugova “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.

Osmani tha se liderët evropianë duhet të bashkohen për një vizion të përbashkët, derisa shtoi se BE është destinacioni i Kosovës.

“Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka theksuar ajo para eurodeputetëve në adresimin e saj.

Përgjatë adresimit të saj, Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t'u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, tha Osmani derisa shtoi se ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t'ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ajo.

Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.

“Liri, pavarësi, demokraci”, Osmani e thotë në tri gjuhë frazën e Rugovës në Parlamentin Evropian

Presidentja Vjosa Osmani e filloi fjalimin e saj në Parlamentin Evropian me një frazë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilën e tha në shqip, anglisht dhe frëngjisht.

“Liri, pavarësi, demokraci”, tha Osmani.

“Këto tri fjalë të fuqishme, s’kanë qenë vetëm fjalë që janë theksuar përsëri e përsëri e me zë të lartë nga ish-presidenti Rugova, por me të vërtetë kanë qenë vizion i popullit të Kosovës. Sot ky vizion i Rugovës, heronjve, i popullit tonë  është realitet. Kosova sot është e lirë, e pavarur dhe Kosova sot është flakadan i demokracisë”.

Vjosa Osmani pritet në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Osmani pritet ta ketë një takim bilateral me Metsolan përpara adresimit që do ta bëjë përpara deputetëve të Parlamentit Evropian.

Osmani ka bërë të ditur se në këtë adresim do ta përçojë mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian, për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe rrugëtimin evropian.

Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian, bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës.

Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.

Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar në Strasburg të Francës ku gjatë ditës së sotme do të ketë një adresim në Parlamentin Evropian, hera e parë që një president i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të PE-së.

Osmani do të pritet fillimisht nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, shkruan KosovaPress.

Pjesë e delegacionit të Kosovës janë edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit, Fahrije Hoti, që vuajtjen nga vrasja e burrit nga regjimi serb e kthehu në forcë dhe u shndërrua në frymëzim për të gjitha gratë me Koperativën “Krusha”, Blerta Basholli, producent, Egzon Syla ndër ushtarakët më të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hana Qerimi, ndërmarrëse, si dhe Liudmyla Makei, gazetare ukrainase që aktualisht është e strehuar dhe punon në Kosovë.

Adresimi i presidentes Osmani para eurodeputetëve është planifikuar për në ora 11:30, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë për media.

Osmani ka mbërritur në Strasburg gjatë së martës ku ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.

Më pas ka pasur edhe një pritje për përfaqësuesit e përhershëm të Këshillit të Evropës, ku në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kjo vizitë e presidentes vjen në kohën kur në tri komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan situata është e tensionuar pas protestave të dhunshme ku serbët të organizuar nga Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, sulmuan Policinë e Kosovës dhe KFOR-in duke lënë të plagosur 6 policë dhe mbi 30 ushtarakë te misionit të NATO-s në Kosovë.

Gjithashtu, edhe pas paraqitjes së planit prej pesë pikash nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Bashkimi Evropian është në përgatitje të sanksioneve ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, sidomos pas zhvillimeve të ditës së martë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat