Osmani: Jemi afër zgjidhjes së krizës në veri

Aktuale

Osmani: Jemi afër zgjidhjes së krizës në veri

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 21:13
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë adresimit para Parlamentit Evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se institucionet e Kosovës janë afër gjendjes së “një zgjidhjeje përpara” për tensionet në veri të vendit.

Gjatë një konference për media në Strasburg, pas një fjalimi në Parlamentin Evropian, Osmani tha se Kosova aktualisht po përballet me sfida, por shtoi se “jemi në rrugën e duhur për t’i tejkaluar”.

“Jam vazhdimisht në diskutime, në kontakt me partnerët tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë me shtetet individuale të Bashkimit Evropian, me institucionet e BE-së dhe do të thosha që jemi afër që rruga përpara të jetë një zgjedhje e përbashkët. Janë disa detaje që akoma duhet të diskutohen, por kam besimin e plotë se kjo sfidë do të tejkalohet sepse rruga përpara duhet të jetë rrugë e përbashkët”, tha Osmani.

Në veri të Kosovës, që nga 26 maji janë rritur tensionet, pas hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Komuniteti ndërkombëtar i ka paraqitur Kosovës tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 qershor ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që ka thënë se do të ndihmojë në uljen e tensioneve.

Presidentja Osmani tha se kërkesat e faktorit ndërkombëtar dhe ato të Kosovës, janë të ngjashme.

“Sa i përket kërkesave ndërkombëtare, jemi afër. Shumë prej çështjeve që janë dhe kërkesa tona, siç është sundimi i ligjit, janë edhe kërkesa të tyre. Pra, është kërkesë e përbashkët. Pastaj, çështja e zgjedhjeve të reja, ka vullnet natyrisht tek institucionet e Kosovës. Janë dy mundësi ligjore. E para varet nga vullneti politik i kryetarëve aktualë – mundësia e dorëheqjes, një çështje që unë nuk ndërhyj. E dyta, që mendoj se është shumë më demokratike që siguron edhe pjesëmarrjen e serbëve në proces të zgjedhjeve, që është përmes 20 për qind të nënshkrimeve të atyre që janë në listën e votuesve. Dhe për çështje të tjera, ka akoma diskutime, por mendoj se jemi afër që të gjendet zgjidhje përpara”, tha Osmani.

Bashkimi Evropian veçse ka ndërmarrë masa ndaj Kosovës për mospërfilljen e kërkesave të saj sa i përket uljes së tensioneve në veri dhe ka paralajmëruar se do të merren masa të tjera. Por, Osmani tha se gjatë qëndrimit të saj në PE asaj nuk i janë përmendur sanksionet e mundshme.

Përveç moshyrjes së kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale dhe tërheqjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, kërkesë tjetër e serbëve është edhe themelimi i Asociacionit.

Presidentja Osmani tha se Kosova është duke hartuar një draft të këtij Asociacioni, sepse sipas saj, ky është obligim i Prishtinës që del nga procesi i dialogut.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë obligime në procesin e dialogut në Bruksel, që institucionet e Kosovës ta përgatisin draftin. Ai draft është duke u përgatitur, po bëhet punë dhe është ai draft që do ta vendosë bazamentin e diskutimeve në Bruksel sa i përket Asociacionit, gjithnjë duke pasur parasysh tri perimetra shumë të rëndësishme. E para është Kushtetuta jonë, e dyta është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i viti 2015 dhe e treta është qëndrimi amerikan, i botuar me shkrim nga [Derek] Chollet dhe [Gabriel] Escobar. Këto janë premisat, parametrat. Ekspertët tanë po punojnë dhe draftet po konsolidohen”, tha Osmani.

Osmani iu referua një artikulli të këshilltarit të lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe të dërguarit të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në të cilin ata kanë argumentuar se SHBA-ja nuk përkrah asnjë asociacion që kërcënon sovranitetin e Kosovës, apo që i ngjason një Republike Sërpska – entitet i serbëve në Bosnje edhe Hercegovinë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i Kurtit, draft-statuti i Ramës, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat