Kurti zbardh detaje nga takimi me ambasadorët e QUINT-it – vjen me një kërkesë urgjente për KFOR-in, lidhet me policët e kidnapuar

Aktuale

Kurti zbardh detaje nga takimi me ambasadorët e QUINT-it – vjen me një kërkesë urgjente për KFOR-in, lidhet me policët e kidnapuar

Nga: Bota sot Më: 15 qershor 2023 Në ora: 11:51 Përditësuar në ora: 18:30 më 15.06.2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kurti jep detaje: Kam folur me Escobarin - në takim me ambasadorët shpreha protestë për heshtjen e KFOR-it

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për situatën në veri të vendit dhe për kidnapimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Kurti ka thënë se në Kuvend ka ardhur nga takimi që ka pasur me ambasadorët e QUINT-it, përfaqësues diplomatik e zv.ambasadorë të shteteve të tjera, takim në të cilin Kurti ka thënë se e ka shprehur indinjatën e tij për mos reagimin e KFOR-it lidhur me rastin e 3 policëve.

Kreu i Qeverisë ka thënë se ka folur në telefon edhe me Gabriel Escobar lidhur me këtë ngjarje.

 “Kam folur me Escobar, ambasadorin Hovenier dhe po vij nga një takim i përbashkët nga ambasadorët zv.ambasadorët. Ku gjerë e gjatë kemi informuar për ditën e djeshme dhe të sotme. Dhe kur kanë kaluar 30 orë, dhe s’kemi deklaratë të KFOR-it, unë kam shprehur protestën time për këtë heshtje, por edhe reagim urgjent”, ka deklaruar kryeministri.

Ai tutje ka thënë se serbët kishin realizuar rrëmbimin brenda territorit të Kosovës dhe kishin lënë gjurmët e tyre, siç ka deklaruar Kurti në mënyrë të qëllimshme.

“Në vendin e ngjarjeve janë gjetur gjurmët e këpcuve që shkojnë në drejtim të Serbisë. Ata jo vetëm që e kanë kryer kidnapimin, por edhe i kanë lënë gjurmët e tyre me tendencë. Synimi i tyre ishte që ata të dihet se ishin aty në atë kohë”, ka thënë Kurti.

Kurti: Serbia dërgoi njësitet elitare për të arrestuar policët tanë që luftonin kontrabandën

Kryeministri Kurti në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës tha se shteti nuk ka problem me qytetarët serbë, por me kriminelët që veprojnë në veri të Kosovës.

Duke folur për arrestimin e kreut të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, ia ka thënë se i njëjti ka organizuar sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.

Kurti kidnapimin e policëve e ka quajtur agresion nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri tha se kidnapimin e policëve e bënë dy formacione ushtarake serbe, përfshirë edhe njësitit “Cobra”.

“Njësitet policore ne i kemi vendosur në 16 rrugë në veri për të parandaluar kontrabandën. Policët e arrestuar ishin të specializuar për të parandaluar kontrabandën, por Serbia i dërgoi njësitet më elitare për arrestimin e policëve”.

Tre kandidatë në garë: Përfundon raundi i parë i votimit për gjyqtar në Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës pritet që sot ta zgjedhë një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Tre kandidatë i janë propozuar sot deputetëve për t’u votuar për një pozitë të lirë të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Kandidatët e propozuar në listën e ngushtë prej tre personave ishin: Bardh Bokshi, Hasan Shala dhe Emrush Kastrati.

Pas përfundimit të raundit të parë të votimit, Emrush Kastrati është eliminuar nga gara për shkak se mori vetëm dy nga 97 vota.

Hasan Shala mori 42 vota të deputetëve, ndërkaq Bardh Bokshi 40 sosh.

Shala dhe Bokshi do të garojnë në raundin e dytë të votimit, proces i cili po vijon aktualisht në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.

Kandidati i cili merr 2/3 e votave të deputetëve prezent në seancë, zgjidhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk e arrin këtë numër të votave, atëherë votimi dështon.

Pas dy tentimesh, Kuvendi e voton Projektligjin për minierat dhe mineralet

Me 61 për, asnjë kundër e asnjë abstenim Kuvendi pas dy tentimesh e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.

Për gati 30 minuta deputetët kanë pritur që mazhornaca t’i bëjë numrat e nevojshme për kalimin e këtij projektligji.

Ai në votimin e parë ka marr vetëm 58 vota.

Ato ishin të pamjaftueshëm për miratim.

Pozita s’i ka votat për votimin e Projektligjit për minierat dhe mineralet

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të votojë për kalimin në lexim të  dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.

Ky projektligj u vendos në votim, por në votim nuk morri pjesë opozita.

Nga 59 deputetë të pozitës që morën pjesë në këtë votim, 58 ishin për  dhe një kundër, e as një abstenim.

Për këtë arsye Kuvendi ka pritur që mazhoranca t’i bëjë votat e duhura për ta kaluar këtë projektligj.

Tahiri: Kërkojmë nga Vuçiqi që menjëherë t’i lirojë policët

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e ka dënuar kidnapimin e tre policëve duke e konsideruar këtë akt si provokim të drejtpërdrejtë nga Qeveria në Beograd.

Sipas tij, veprimet aventureske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e miqve në krye me ShBA-në ka rezultuar me përshkallëzim të situatës.

“Kërkojmë nga presidenti i Serbisë që me një veprim politik ti lirojë menjëherë te policët duke mos e eskaluar situatën, dhe duke pasur parasysh se ky Kuvend në ballafaqim me Serbinë nuk e njeh qasjen pozitë dhe opozitë”.

“Po e shihni ku jemi sot, dje kem thënë se marrim veprime sovrane dhe sot pas mbledhjes së kryesisë kryeministri flet për nevojën për koordinim dhe habitet sesi po rrinë në heshtje i gjithë faktori ndërkombëtar. Po e shihni sa ka zgjatë qëndrueshmëria e qeverisë në raport me një situatë tepër të rëndë. Nga faktori ndërkombëtar në veçanti nga SHBA urgjentisht të bëjë presionin e duhur ndaj shtetit që nuk e fsheh synimin armiqësor ndaj Kosovës dhe të liroj menjëherë tre policët e kidnapuar”.

​Krasniqi: S’mund të sillemi normalisht me tre policë të rrëmbyer

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend në lidhje me situatën e sigurisë në vend. Krasniqi tha se nuk mund të sillemi normal kur ka pasur përshkallëzim të situatës në veri të Republikës.

Krasniqi u shpreh se prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i tre policëve të cilët janë rrëmbyer gjatë së mërkurës e që për kreun e PDK-së përbën një akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës.

Krasniqi: Prioritet mbi prioritete kthimi i policëve

“Situata në vendin tonë nuk është normale andaj besoj që ne s'mund ta luajmë normaliteitn, as jetën institucionale, as veçanërisht Kuvendin e Kosovës. Dje ka ndodhur përshkallëzim i situatës së sigurisë, rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është një akt agresioni kundër Republikës sonë, është paekuivoke shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial. Në këtë moment përtej qëndrimeve e vlerësimeve të kujtdo, prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i policëve tonë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre duke garantuar shëndetin e sigurinë e tyre”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që të thërrasë kryeministrin në një seancë në çfarëdo kohe gjatë ditës së sotme.

Krasniqi: Të jemi në nivelin e përgjegjësisë

“Nuk është e mundur që ne të sillemi sikur se asgjë s'ka ndodhur që të mblidhemi këtu e të vazhdojmë seancat e mbetura që të bëjmë manifestime normale kur i kemi tre policë të rrëmbyer, kur kemi akt agresioni të Serbisë kundër Kosovës, na takon si Kuvend, si deputetë, si përfaqësues të qytetarëve, si përfaqësues edhe të atyre tre policëve që të jemi në nivelin e përgjegjësisë që ta kemi kryeministrin këtu, që të vijë të na informojë e të njoftojë sepse kjo situatë kërkon një sjellje tjetër”, vijoi Krasniqi.

Aktualisht, Kuvendi i Kosovës është duke zhvilluar seancë me pikat e prapambetura nga seancat e kaluara.

Gashi kërkon që Kurti të raportojë në Kuvend lidhur me zhvillimet në veri dhe kidnapimin e policëve

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të raportojë në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe.

Në seancën e Kuvendit të enjten, Gashi në emër të LDK-së e ka dënuar fuqishëm agresionin e Serbisë, duke kidnapuar tre zyrtarë policorë brenda territorit të Kosovës.

“Ky është një veprim agresioni i dënueshëm politikisht dhe ndërkombëtarisht dhe një veprim i cili në asnjë rrethanë nuk duhet të lejohet të përsëritet”.

Në emër të LDK-së, Gashi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë që të bëjnë të pamundurën që të bëhet kthimi i zyrtarëve policorë sa më parë në Kosovë.

“Po ashtu, kërkoj që kryeministri të vijë sa më shpejtë në një seancë të veçantë raportuese në Kuvendin e Kosovës e të raportojë për situatën në veri, gjendjen e zyrtarëve policorë për aq sa ka informacion, për masat që janë ndërmarrë dhe jemi të gatshëm që si Kuvend të marrin masa që janë të nevojshme”.

Ai gjithashtu ka kërkuar që Kurti t’i raportojë deputetëve lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Sepse kemi parë qëndrime zyrtare të SHBA-së dhe përfaqësuesve të BE-së lidhur me mundësinë e marrjes së masave sanksionuese për institucionet e Kosovës e kjo është ngjarje shumë shqetësuese që nëse ndodh do të jetë e rëndë dhe e patejkalueshme”.

“Jemi në një situatë delikate ku na duhet informim për ngjarjet në veri dhe agresionin luftënxitës të Serbisë, duke kidnapuar policët. Na duhet informim për raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe na duhet pjekuri e kryeministrit e të mos tallet si herën e kaluar kur thoshte ‘a po doni me apo pa koordinim ndërkombëtar’?”.

Deputetët e AAK-së vendosin pankartë në Kuvend: Edhe nëse qeveria harron, populli nuk harron

Deputetët e AAK-së kanë shkuar në seancën e sotme të Kuvendit me pankarta në të cilat shkruhet “Edhe nëse Qeveria harron, Populli nuk harron!”.

Në pankarta është vendosur flamuri i SHBA-së dhe ai i NATOS-s për të përkujtuar rolin që ata kishin në çlirimin e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe kreu i saj Ramush Haradinaj vazhdimisht ka kritikuar Qeverinë Kurti për prishje të raporteve me SHBA-në dhe mosdëgjimin e këshillave të aleatëve.

AAK së fundmi ka iniciuar edhe mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Krasniqi: Serbia bëri agresion kundër Republikës tonë – Kurti të vie të raportojë sot në Kuvend

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se situata në vendin tonë nuk është normale, dhe s’mund ta luajmë normalitetin as në jetën institucionale veçanërisht në Kuvend.

“Dje ka ndodhur përshkallëzim i situatës së sigurisë. Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është një akt agresioni kundër Republikës tonë, është shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se në këtë moment prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i policëve tonë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre duke garantuar shëndetin dhe sigurinë e tyre.

Krasniqi ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që të kontaktoi me kryeministrin Albin Kurti dhe që i njëjti të vije sot të raportojë në Kuvend për këtë situatë.

“Ju ftoj që ju në emër të Kuvendit të kontaktoni me kryeministrin që të vij sot në një seancë të veçantë për të raportuar se cilat janë veprimet e Qeverisë që janë duke ndërmarrë për kthimin e policëve tanë por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veri. Të caktojmë kohën e mbajtjes së një seance të veçantë sot për të diskutuar për këtë shqetësim të cilitdo qytetarë”, tha Krasniqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat