Dhjetëra kamionë nga Serbia presin të kalojnë kufirin me Kosovën

Aktuale

Dhjetëra kamionë nga Serbia presin të kalojnë kufirin me Kosovën

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 12:08
Radha e kamionëve që presin të kalojnë kufirin në pikën kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë.

Në pikën kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, janë duke pritur rreth 60 kamionë për të hyrë në Kosovë.

Kolona e mjeteve transportuese nuk është shumë e gjatë, pasi siç thanë shoferët, shumë transportues me të kuptuar lajmin se nuk u lejohet hyrja në Kosovë, janë ndalur në parkingje dhe pika të karburanteve.

Gazmend Kastrati, shofer i një kompanie nga Kosova, mëngjesin e së enjtes po transportonte grurë nga Serbia për në Kosovë.

Ani pse mjeti me të cilin Kastrati por transporte grurin ka targa të Kosovës, për shkak se malli ka origjinën nga Serbia, atij i është pamundësuar hyrja në territorin e Kosovës.

“Ne jemi duke pritur nga ora 8:00, pak para orës 8:00, 10 apo 15 minuta kur ka qenë ndërrimi. Është bllokuar diçka. Vendimi është i Qeverisë së Kosovës. Se çfarë e kanë marrë atë vendim as ne s’kemi informacione tjera. Duke pritur jemi. Çfarë do të bëhet s’e di”, tha Kastrati.

“Disa kamionë janë ndalë nëpër parkingje – kush ka pasur informacion. Ne që s’kemi pasur informacion kemi ardhur drejt e këtu. Në kufi pyetem tani por nuk kanë ndonjë vendim derisa ta marrin ku ta di unë atje nga lart”, tha ai.

Nenad Nastasieviq, shofer kamioni me targa të Serbisë, ishte në rrugë për të dërguar pllaka gipsi me origjinë nga Bullgaria për në Kosovë, por atij iu tha se nuk mund të kalojë kufirin.

“Epo probleme, probleme të mëdha. Po vonojmë me dërgesa dhe po vështirësohen pagesat. Humbasim para këtu. E shihni ku po qëndrojmë, nuk kemi kushte elementare”, tha ai.

Kolonat në kufi u shtuan pasi Qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se "synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë".

"Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese", u shpreh ai.

Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, për të cilët Prishtina zyrtare thotë se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar për të dënuar veprimet e Serbisë, dhe tha se është “i habitur nga heshtja e tyre”./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat