Kushtetuesja: Kuvendi kishte të drejtë për shkarkimin e Bordit të ARH-së

Aktuale

Kushtetuesja: Kuvendi kishte të drejtë për shkarkimin e Bordit të ARH-së

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 17:26
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese konstaton si të pabazuar kërkesën e parashtruesve nga ish-dhjetë deputetët në lidhje me shkeljet e pretenduara për shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës më 2021 kishte shkarkuar Bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) me këtë përbërje: Arsim Berisha kryesues, Gëzim Qerimi anëtar, Shkumbin Hyseni anëtar dhe Ilmi Ahmeti anëtar.

Në aktgjykim thuhet se gjykata gjeti se Kuvendi me rastin e shkarkimit të anëtarëve të Bordit të Hekurudhave përmes vendimit të kontestuar, ka vepruar në rolin mbikëqyrës ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës dhe ka ushtruar funksionin e përcaktuar në nenin 38 të Ligjit nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës.

Kushtetuesja të premten publikoi aktgjykimin në rastin (KO 139/21), të parashtruar nga Fadil Nura dhe 9 deputetë tjerë, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 21 korrikut 2021, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

“Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës, në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave individuale të anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ishte e pabazuar për shkak se (i) Vendimi i kontestuar ishte bazuar në Rekomandimin e Komisionit përkatës i cili përmbante arsyet sipas së cilave propozohej shkarkimi i anëtarëve të Bordit; dhe se (ii) parashtruesit e kërkesës nuk e kishin dëshmuar se legjislacioni në fuqi e përjashton këtë kategori funksionarësh publik nga detyrimi për të kërkuar mbrojtje juridike në gjykatat e rregullta. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Nga Grupi Parlamentar i PDK-së, ish-deputeti Fadil Nura kishte kundërshtuar fuqishëm rekomandimi i Komisionit për Bujqësi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat