Tensionet në veri të Kosovës, Escobar nervozohet me gazetarët për vendosjen e kryetarëve në komuna

Aktuale

Tensionet në veri të Kosovës, Escobar nervozohet me gazetarët për vendosjen e kryetarëve në komuna

Më: 17 qershor 2023 Në ora: 12:43
Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor dhe Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane Gabriel Escobar kërkoi dje lirimin e tre policëve të Kosovës të arrestuar nga Serbia. Në një takim virtual me mediat Escobar tha po ashtu se një lider s’mund të ketë në dorë gjithë rajonin dhe se kush refuzon partneritetin do ketë pasoja.

Gjatë bashkëbisedimit pati një moment nervozizmi nga ana e zyrtarit të lartë amerikan i cili u pyet disa herë nga gazetarët nëse qëndrimet e Uashingtonit janë më të ashpra ndaj Prishtinës se sa Beogradit, duke marrë parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të penguar njohjen e Kosovës.

Escobar tha se kryetarët e komunave në Veri mund të kishin punuar edhe “nga Hëna dhe ne do t’i konsideronim veprimet e tyre të ligjshme” duke sjellë si shembull atë që ka bërë qeveria amerikane në shumë raste me braktisjen e godinave.

Escobar: Më është parashtruar një pyetje nga një gazetar austriak se SHBA po ndihmojnë më shumë Serbinë sesa Kosovën. Po ju them se në këto 90 ditët e fundit çdo përpjekje ka shkuar në favor të mbështetjes së Kosovës. Serbia nuk donte që Kosova të aplikonte në Këshillin e Evropës; ne e mbështetëm. Serbia donte që ne të shtynim Kosovën që t’i anulonte zgjedhjet; e kemi mbështetur. Serbia donte që ne të deklaronim se zgjedhjet ishin jo të ligjshme për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve; ne nuk e bëmë këtë. Në asnjë rast gjatë 90 ditëve të fundit, unë sfidoj këdo që të gjejë diçka që ne e kemi bërë dhe që nuk ka shkuar në favor të Kosovës.

E kemi paralajmëruar Kosovën në lidhje me ndërtesat e komunave. Hyrja në to ka qenë e panevojshme, ishte përshkallëzim i panevojshëm në një kohë kur emocionet ishin të larta. Unë vetë kam qenë i angazhuar me qeverinë federale qysh në moshën 19-vjeçare, kam parë që administrata e SHBA-së i ka braktisur godinat në rastet kur ka pasur zjarre përmbytje, uragane, COVID-19 dhe madje edhe protesta. Ne e ndjemë se nuk ka nevojë të përshkallëzojmë situatën dhe të krijojmë tensione të larta. Pra, legjitimiteti i Shteteve të Bashkuara nuk u vu kurrë në pikëpyetje në ato raste, dhe legjitimiteti i kryetarëve të komunave nuk do të vihej në dyshim nëse ata do të kishin punuar nga një vend alternativ.

Ata mund të kishin punuar nga Hëna dhe ne do t’i konsideronim veprimet e tyre të ligjshme.

Në vend të kësaj, ata insistuan të futeshin në zyra me forcë dhe ajo që ndodhi ishte e parashikueshme dhe mund të parandalohej.

Pra, sa herë që ata mendojnë t’i përdorin ndërtesat si simbol të kundërshtimit të tyre ndaj planit evropian dhe amerikan, kjo dëmton marrëdhëniet midis grupeve etnike dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe komunitetit euroatlantik.

Pra, kjo ishte kërkesa jonë e vetme për Kosovën, dhe për çfarëdo arsye ata vazhdojnë ta refuzojnë.

Por ne do të vazhdojmë të insistojmë. Dhe nëse doni të flisni për pasojat, do të thosha se do të ketë pasoja nëse vazhdojnë të shpërfillin këshillat tona për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat