Stoltenberg diskuton për Kosovën me kancelarin Scholz - zbardhen detaje nga biseda

Aktuale

Stoltenberg diskuton për Kosovën me kancelarin Scholz - zbardhen detaje nga biseda

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 13:42
Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Olaf Scholz

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka qëndruar në Berlin ku është pritur nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Në këtë takim, është diskutuar edhe për situatën në veri të Republikës së Kosovës.

Në konferencën për media pas takimit, Stoltenberg deklaroi se KFOR do të vazhdojë të marr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

Ai gjithashtu kërkoi që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut dhe të ndalojnë çdo hap përshkallëzues.

Stoltenberg: Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë

Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona, KFOR-i, do të vazhdojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë çdo hap të mëtejshëm përshkallëzues dhe t'i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Stoltenberg.

As liderët në Kosovë, e as ata në Serbi duket se nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në takimin e krizës të thirrur nga Bashkimi Evropian për këtë javë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

Ky i fundit, ka deklaruar se pa kuptuar gjendjen e policëve, që sipas Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, nuk do të vendosë nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

Blloku evropian, ndërkaq, ka thënë se pret që palët të marrin pjesë pa kushte në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor ka deklaruar se "bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit"./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat