Gërxhaliu thotë se situata në veri po e godet Kosovën në aspektin ekonomik

Aktuale

Gërxhaliu thotë se situata në veri po e godet Kosovën në aspektin ekonomik

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 23:57
Safet Gërxhaliu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu duke folur për efektet e vendimit të Qeverisë për ndalimin e mallrave nga Serbia tha se situata e tensionuar në veri të vendit ka goditur vendin si në aspektin social ashtu edhe në atë ekonomik.

“Shpreh shqetësimin tim për këtë që është duke ndodhur në veri sepse vërtet po goditet Kosova në aspekt ekonomik, social dhe në imazhin e saj. Dhe në këtë drejtim është shumë e vështirë të ndahen veprimet dhe vendimet politike nga ato ekonomike, mirëpo besoj që është koha kur duhet të jemi racional, të mendohet në mënyre më afatgjatë dhe të kemi një analizë të mirëfilltë çka humb dhe çka fitohet në aspektin ekonomik.”, tha Gërxhaliu.

Teksa vendimi i institucioneve për moslejimin e mallrave serbe në Kosovë po vazhdon tash e sa ditë. Kamionët që përmbajnë produkte të prodhuara në Serbi, nuk po lejohen të hyjnë në territorin e vendit tonë nga e mërkura, kur u morr vendimi nga institucionet vendore, kjo për shkak të kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia.

Ndryshe Nenad Gjurgjeviq, këshilltar i kryetari të Odës Ekonomike të Serbisë tha se bllokadat në pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës kanë ndikim të keq te të dyja palët.

Gjurgjeviq tha se bashkëpunimi ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës është i një rëndësie të madhe dhe më 2022, shkëmbimi dypalësh ishte në vlerë prej 520 milionë eurosh.

“Ky numër tregon se tregu në Kosovë është më i rëndësishmi për ne në Ballkanin Perëndimor, pas tregut në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat