Deliu-Kodra pret nga Kurti t’i kërkojë falje Blinkenit: Kemi më pak sovranitet, siguri dhe shtet

Aktuale

Deliu-Kodra pret nga Kurti t’i kërkojë falje Blinkenit: Kemi më pak sovranitet, siguri dhe shtet

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 10:59
Blerta Deliu

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pasur kritika ndaj Qeverisë Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Deliu-Kodra, edhe një herë tha se PDK-ja kërkon që tre policët e rrëmbyer nga Serbia javën e kaluar, të lirohen menjëherë dhe pa kushte, pasi mbi ta rëndojnë akuza të pabaza.

“Thirrja jonë mbetet e njëjtë, lirimi i tyre menjëherë dhe pa asnjë kusht. Thirrje të tilla kanë bërë ShBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja. Roli i Shqipërisë vazhdon të mbetet i madh”, tha ajo në seancën plenare.

Mes tjerash, ligjvënësja opozitare theksoi se janë të shqetësuar me acarimin e raporteve të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë.

“Sot si rezultat i qasjes aventureske, kemi më pak sovranitet, siguri, rend dhe shtet”, tha ajo.

Krejt në fund, ajo pret që Kurti t’i kërkojë falje sekretarit amerikan të Shtetit, i cili pas tensioneve të krijuara në Veri tha se “ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rritë pasigurinë”.

“Kurti t’i kërkojë falje zotit Blinken për deklaratën e tij skandaloze. është e domosdoshme për aq sa i është kryeministër i Kosovës. Na mbetet përgjegjësia e madhe për t’u distancuar nga kjo gjuhë që ai tash e sa kohë po komunikon me partnerët”, tha ajo.

Kurti kishte shprehur pakënaqësitë e tij për këtë deklaratë të Blinkenit. Madje e kishte konsideruar si “zbutje” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Unë mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, pati thënë Kurti më 30 maj, në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat