​Situata në veri, Stoltenberg: NATO dhe BE po punojnë për uljen e tensioneve

Aktuale

​Situata në veri, Stoltenberg: NATO dhe BE po punojnë për uljen e tensioneve

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 15:26
Jens Stoltenberg

NATO dhe Bashkimi Evropian po punojnë ngushtë për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore, ka thënë shefi i aleancës veriatlantike, Jens Stoltenberg, duke folur për situatën në veri të Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për depërshkallëzim të situatës dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, dhe stabilitetin në rajon.

Stoltenberg është deklaruar gjatë një takimi me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, të mbajtur në selinë e aleancës.

Stoltenberg: NATO dhe BE po punojnë për uljen e tensionimeve

“Është e rëndësishme që tensionet në Kosovë të ulen dhe kjo është detyrë dhe përgjegjësi e të dyja palëve dhe prandaj NATO mirëpret përpjekjet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për uljen e tensioneve. Mendoj se situata në Kosovë dhe gjithashtu prania e NATO-s, tregon se si NATO dhe Bashkimi Evropian punojnë ngushtë së bashku në gjetjen e një rruge përpara për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore, sepse NATO ka prezencën apo paqeruajtësit në Kosovë në forcat e KFOR-it, ne kemi shpallur mandatin e OKB-së dhe natyrisht i qëndrojmë besnik mandatit të OKB-së. Ne kemi rritur gjithashtu praninë tonë të trupave të KFOR-it në Kosovë si reflektim i tensioneve të rritura që kemi parë gjatë javëve të fundit, dhe ajo që NATO bën në Kosovë është e paanshme, bazuar në mandatin e OKB-së dhe praninë tonë atje është për të siguruar lëvizjen e lirë e të gjitha komuniteteve dhe gjithashtu më pas për të ndihmuar dhe mbështetur përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian. Prandaj i ftojmë të dyja palët që të angazhohen në mirëbesim në dialog dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në Kosovë”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian pritet të zhvillojnë takime në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me qëllim të shtensionimit të situatës në veri.

Lidhur me këtë, Stoltenberg, u bë këtë thirrje palëve për kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE.

Ai ka thënë se ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.

Stoltenberg: Kosova dhe Serbia të rikthehen në dialog

“Mali i Zi gjithashtu luan një rol kyç në Ballkanin Perëndimor, ku promovon stabilitetin dhe paqen. Ju i siguroni trupa KFOR-it, misionit tonë paqeruajtës në Kosovë. Kjo është edhe më e rëndësishme tani në kohë tensionesh të rritura. Angazhimi i NATO-s ndaj KFOR-it dhe mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, dhe ne kemi shtuar praninë tonë dhe do të vazhdojmë të marrim të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve për de-përshkallëzim dhe të kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë ai.

Gjithashtu, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka bërë thirrje për depërshkallëzim të situatës dhe rikthim në dialog.

Milatoviq: Ftojmë Kosovën dhe Serbinë për depërshkallëzim dhe rikthim në dialog

“Për çështjet që po ndodhin aktualisht në Kosovë, ne si Mali i Zi jemi plotësisht të përkushtuar ndaj dialogut dhe e mbështesim dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Po bëjmë thirrje për de-përshkallëzimin e tensioneve dhe jam shumë i lumtur kur shoh se liderët e Serbisë dhe të Kosovës po takohen sot në Bruksel nën ombrellën e dialogut të BE-së dhe ne po e mbështesim fuqishëm atë. Mendoj se stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë është i rëndësishëm, natyrisht edhe për Malin e Zi dhe ne shpresojmë të arrijmë atje. Pra, Mali i Zi ka treguar se është një vend i përkushtuar ndaj dialogut dhe mendoj se kjo duhet të ndodhë edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, ne po bëjmë thirrje për de-përshkallëzimin e tensioneve dhe kthimin në dialogun që po zhvillohet, siç tha edhe Sekretari i Përgjithshëm, me mirëbesim. Mendoj se është veçanërisht e rëndësishme që të kemi dialog me mirëbesim dhe të synojmë zgjidhjen e çështjeve dhe tensioneve në mënyrë që i gjithë rajoni të kthehet në stabilitet dhe prosperitet”, ka thënë ai.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.

Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.

Me qëllim të shtensionimit të situatës, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pritet të zhvillojë takime sot në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat