Lumir Abdixhiku tregon për takimin që kishte me tash profesorin e ndjerë Shyqri Nimani

Aktuale

Lumir Abdixhiku tregon për takimin që kishte me tash profesorin e ndjerë Shyqri Nimani

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 19:29
Lumir Abdixhiku dhe Shyqri Nimani

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për profesorin që ndërroi jetë, Shqyri Nimani.

Profesori Nimani kishte kaligrafuar në pergamenë “Deklaratën e Pavarësisë”.

E Abdixhiku ka shkruar rreth takimit që kishte me të, duke thënë se ai e kishte shkrimin më të bukur që kishte parë ndonjëherë.

”Profesor Shyqri Nimani na la sot. Atë pata nderin ta vizitoj këtë vit, në përvjetorin e pavarësisë. Paska qenë viti i fundit i tij. Paska qenë takimi i fundit ky. Sa pak dimë”.

“E pimë kafen e pasdites bashkë. Më foli shkurt për 16 orët e dedikuara në shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Më foli gjatë për jetën, të bukurën, të ligën, të shkuarën e të ardhmen. Më foli me plot pasion për antikën, artin e dizajnin. Me një shije humori të hollë, me një sjellje prej zotërie të rëndë, mes përvojës të pafundme e mendjehapjes së kohës, dukej se ishim moshatarë; veçse ai ishte një mësues me një jetë të tërë pas”.

“Folëm gjatë, teksa mes shkrimit më të bukur që kisha parë ndonjëherë, mora si dhuratë të fundit librat e tij. Ju ktheva sot atyre sërish. Më përcolli deri jashtë; s’futej brenda në banesë derisa s’u pamë. Ishte shkurt; muaji shkurt, por ishte ngrohtë. Ai e bënte secilin rreth tij të ndihej mirë me aq shumë ngrohtësi”, ka shkruar Abdixhiku ndër tjerash në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat